Ancona do të jetë Kryeqyteti Italian i Kulturës për vitin 2028. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Kulturës, Alessandro Giuli.
Sipas komisionit të vlerësimit, qyteti paraqiti një dosje “të shkëlqyer”, të miratuar unanimisht, me një “model solid dhe koherent zhvillimi kulturor”, që ndërthur identitetin lokal me hapjen ndërkombëtare, si dhe një program ndërhyrjesh që synon një publik të gjerë dhe të larmishëm.
Kryeqyteti i rajonit Marche, i konsideruar ndër favoritët, konkurroi me projektin “Ancona. Kjo Tani”, i cili do të mbështetet me një grant prej 1 milion eurosh. Ndërkohë, bashkia ka planifikuar rreth 50 milionë euro investime në infrastrukturë dhe aktivitete kulturore.
“Shtatë milionë euro janë parashikuar për vitin e festimeve”, deklaroi kryebashkiaku Daniele Silvetti, duke theksuar rëndësinë e investimeve afatgjata për zhvillimin e qytetit.
Programi kulturor është ndërtuar mbi katër makro-projekte, të frymëzuara nga figura simbolike të qytetit:
“Ky Det”, i lidhur me arkitektin Luigi Vanvitelli, synon të rishpikë marrëdhënien mes portit dhe komunitetit;
“Via Maestra”, e lidhur me Ciriaco Pizzecolli, do të funksionojë si boshti narrativ i qytetit kulturor;
“Now Park”, me figurën e heroinës Stamira, fokusohet te hapësirat natyrore si Parku Cardeto dhe Conero;
“Mare Culturale”, i përfaqësuar nga tenori Franco Corelli, synon zhvillimin e kreativitetit dixhital dhe përfshirjen e të rinjve.
Në projekt është përfshirë edhe skenografi fitues i tre çmimeve Oscar, Dante Ferretti, i cili e cilësoi këtë arritje si një mundësi të madhe për qytetin:
“Ankona është në zemrën time. Kjo fitore i jep mundësinë të shndërrojë trashëgiminë e saj në një rrëfim kinematografik universal”, u shpreh ai.
Ministri Giuli, gjatë ceremonisë, e cilësoi këtë shpallje si “një moment gëzimi të përbashkët” dhe një instrument të rëndësishëm për forcimin e lidhjes mes institucioneve dhe komuniteteve lokale. Ndërsa nënsekretarja Lucia Borgonzoni përgëzoi edhe qytetet e tjera finaliste për cilësinë e projekteve të tyre.
Nga ana tjetër, ministrja e Turizmit, Daniela Santanchè, e cilësoi këtë si një sukses për ekonominë dhe turizmin kombëtar, duke theksuar se ky titull nxit investimet dhe rrit flukset turistike.
Kjo është hera e dytë që rajoni Marche fiton këtë titull, pas Pesaro në vitin 2024. Presidenti i rajonit, Francesco Acquaroli, e konsideroi këtë një dëshmi të potencialit të madh kulturor të zonës.
