Këngëtarja dhe aktorja e njohur amerikane, Ariana Grande, ka befasuar fansat me një ndryshim të ri në pamjen e saj. Artistja 32-vjeçare ka zëvendësuar flokët e saj biondë, që ishin bërë pjesë e imazhit të saj si Glinda, me një ngjyrë më të errët, duke sjellë një pamje krejtësisht të re.
Në një prononcim për BBC News, Grande ka theksuar se ndryshimi i flokëve nuk lidhet me ndarjen nga roli i saj si “E Mira e Veriut” në filmin Wicked, por është thjesht një mënyrë për të “bërë diçka ndryshe”.

“Jo, nuk është një lamtumirë për Glindën. Thjesht doja të eksperimentoja me diçka ndryshe, të luaja pak me tonet më të errëta – në flokë, veshje dhe grim. Është argëtuese,” – është shprehur këngëtarja, ndërsa bashkëylli i saj, Cynthia Erivo, ka buzëqeshur dhe ka pohuar me kokë.
Ndryshimi vjen ndërsa Grande rikthehet në rolin e saj të dashur në “Wicked: For Good”, vazhdimi i filmit që theu rekorde në vitin 2024 dhe u vlerësua me 10 nominime për Oscar, duke fituar dy prej tyre – për kostumografi dhe dizajn skene.
Mbrëmjen e së hënës, Leicester Square në Londër u transformua në një “Tokë të Ozit” magjike, me rrugë të verdhë prej tullash dhe drita në nuanca rozë e jeshile. Fansat u mblodhën të veshur me kapela shtrigash dhe fustane me shkëlqim, për të festuar premierën e filmit.

Krahas Grandes dhe Erivos, në vazhdim do të rikthehen edhe Michelle Yeoh, Jonathan Bailey dhe Jeff Goldblum. Bailey, i njohur nga seriali “Bridgerton”, së fundmi është shpallur nga revista People si “Burri më seksi i gjallë” – dhe me humor e ka cilësuar regjisorin Jon M. Chu si “më tërheqësin e vitit”, për “gjenialitetin dhe dhembshurinë e tij”.

Filmi i dytë, me një gjatësi prej 2 orësh e 18 minutash, do të sjellë historinë pas ndarjes së Glindës dhe Elphabës, duke treguar rrugët e ndryshme që ndjekin dy mikeshat, njëra si figurë publike nën kontrollin e Magjistarit, tjetra si e përndjekur nga shteti i Ozit.
Regjisori Chu ka zbuluar se në vazhdimin e ri do të dëgjohen dy këngë krejtësisht të reja, të cilat, sipas tij, kur i dëgjuan për herë të parë, “Grande dhe Erivo u përlotën nga emocionet”./M.XH
