Policia e Krujës ka arrestuar në flagrancë një 40-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në hotelin në pronësi të tij janë gjetur armë zjarri, municion, një jelek antiplumb dhe 20 mijë euro, të dyshuara se janë përfituar nga veprimtari të kundërligjshme.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë shtetasi Adrian Gjebeshi, 40 vjeç, i cili rezulton me precedent të mëparshëm penal.
Ndërkohë, hetimet vijojnë me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të 40-vjeçarit dhe zbardhjen e rrethanave të tjera që lidhen me rastin.
Njoftimi i Policisë:
Krujë/Finalizohet operacioni i koduar “Implikimi”.
Gjenden në hotelin në pronësi të një shtetasi, armë zjarri, municion, jelek antiplumb dhe 20 000 euro me burime të dyshimta.
Arrestohet 40-vjeçari me precedent të mëparshëm penal.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të intensifikuara ndaj shtetasve me precedentë kriminalë, të cilët përbëjnë rrezik për përfshirje në vijim në ngjarje kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSh, finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”.
Në kuadër të operacionit u kryen kontrolle në subjektin (hotel) në Krujë, në pronësi të shtetasit A. Gj., 40 vjeç, me precedent të mëparshëm penal.
Gjatë kontrolleve në këto ambiente u gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), 1 krehër me 20 fishekë luftarakë, 1 jelek antiplumb dhe 20 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtari të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin u kryen arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit dhe sekuestrimi i sendeve të kundërligjshme që posedonte ai.
Hetimi vijon për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
