Në Gaza, banorët palestinezë u rikthyen në lagjen Zeitoun për të inspektuar vendin ku një ditë më parë ndodhi një sulm ajror izraelit. Pamjet nga terreni tregojnë ndërtesa të shkatërruara dhe ekipe shpëtimi që vijojnë kërkimet mes rrënojave.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, të paktën 25 persona humbën jetën në katër sulme të njëpasnjëshme izraelite të mërkurën, të cilat goditën zona të kontrolluara nga Hamasi, pavarësisht armëpushimit te brishtë që është në fuqi prej disa javësh.
10 nga viktimat u gjetën në lagjen Zeitoun, dy në lagjen Shejaia në lindje të qytetit, ndërsa te tjeret humbën jetën në dy sulme të ndara në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
Ushtria izraelite tha se goditi objektiva të Hamasit pasi militantët palestinezë hapën zjarr ndaj trupave izraelite, duke shkelur kështu marrëveshejn e armëpushimit. Izraeli konfirmoi se nuk pati të plagosur në radhët e ushtrisë.
Në një deklaratë, Hamasi e cilësoi sulmin si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Izraelit për të respektuar armëpushimin.
Por një zyrtar amerikan u shpreh se Hamasi po synon të prishë marrëveshjen dhe nuk po përmbush angazhimet e tij për çarmatim.
