Dy të burgosur kanë arritur të arratisen nga qelia e tyre në burgun e Dijonit, pasi morën sharra të dërguara me dron, njoftojnë autoritetet.
Njëri prej tyre, 19 vjeç, është nën hetim për tentativë vrasjeje dhe bashkëpunim kriminal, ndërsa tjetri, 32 vjeç, akuzohet për kërcënime dhe dhunë të përsëritur ndaj bashkëshortes.
Të dy ishin në izolim pa kontakt me botën e jashtme dhe konsiderohen të rrezikshëm. Pas prerjes së hekurave të qelisë, ata përdorën batanije për të kaluar gardhin me tela me gjemba. Sindikalistët e FO Justice kishin paralajmëruar prej muajsh për rënien e sigurisë në burgun e Dijonit.
Ata kritikuan menaxhimin e burgut për “mungesë totale të vëmendjes” ndaj situatës reale në terren.
Ngjarja vjen pas një arratisjeje tjetër nga burgu Rennes-Vézin javën e kaluar, gjatë një vizite në planetarium.
Ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin, shkarkoi menjëherë drejtorin e burgut. Tre sindikata të burgjeve akuzuan ministrin për prioritet ndaj operacioneve kundër trafikantëve të rrezikshëm të drogës dhe neglizhencë ndaj shërbimeve të burgjeve.
Franca ka rreth 85,000 të burgosur, shumë më tepër se kapaciteti zyrtar prej 62,509 vendesh, me disa institucione që kanë mbipopullim mbi 200%.
