Last Updated on 27/11/2025 by Monika
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median austriake “Die Presse”, ku ka folur mbi perspektivat e Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Europian, luftën kundër korrupsionit dhe marrëdhëniet me Rusinë.
Rama theksoi se integrimi europian i Shqipërisë është një çështje e veçantë, veçanërisht në një kohë kur realiteti gjeopolitik e ka ndarë Europën në dy kufij, brenda dhe jashtë BE-së. Ai e cilësoi këtë situatë si historikisht të pazakontë dhe nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE për sigurinë, kohezionin dhe unitetin e Europës.
“Mendoj se integrimi nuk është vetëm për Shqipërinë, por duhet parë në një perspektivë më të gjerë, që lidhet me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe vetë Bashkimin Europian. Nuk është normale të kemi këtë pjesë të Europës të shkëputur nga BE-ja. Për arsye të sigurisë, kohezionit dhe unitetit të Europës, është e qartë se nuk ka rrugë tjetër përveç anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE,” tha Rama.
Kryeministri gjithashtu u ndal te sfidat e brendshme, duke vënë theksin mbi luftën kundër korrupsionit dhe nevojën për reforma të qëndrueshme, si dhe mbi marrëdhëniet e paqarta me disa aktorë ndërkombëtarë, përfshirë Rusinë, që sipas tij ndikojnë në stabilitetin rajonal./mxh
