Shefi i policisë së Beogradit, Veselin Miliç, është arrestuar në vazhdën e hetimeve për të hedhur dritë mbi zhdukjen e Aleksandar Nesoviç nga Restoranti 27 në Senjak.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd po heton zhdukjen e Aleksandar Nesoviç, me të cilin gruaja e tij pati kontakt të fundit më 12 maj, kur ai i tha asaj se ndodhej në një restorant në lagjen Senjak të Beogradit.
Miliç dyshohet për veprat penale “moslajmërim i veprës penale dhe autorit” si dhe “ndihmë pas kryerjes së veprës penale”. Autoritetet serbe kanë bërë të ditur se ai është ndaluar për 48 orë dhe pritet të merret në pyetje nga prokurorët.
Përveç Miliçit, në pranga lidhur me ngjarjen, u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë të dyshuar për vepra të ndryshme penale, mes tyre dhe tre oficerë policie.
Mediat serbe shkruajnë se më 12 maj, Veselin Miliç organizoi një takim midis dy eksponentësh krimi në një restorant në Senjak, njëri prej të cilëve është anëtar i bandës së Kekës, Aleksandar Nesoviç, i njohur si Baja, i cili ishte në një mosmarrëveshje me VS të njohur si Boske, me qëllim që të rregullonin marrëdhëniet e tyre.
Miliç, së bashku me Bosken, dyshohet se e pritën Neshoviçin në restorant dhe kur ai mbërriti nisi konflikti mes tyre. Më pas, Boske qëlloi disa herë drejt Neshoviçit në sy të Miliç.
Anëtarët e sigurisë së Miliç, të cilët janë oficerë policie, dyshohet se e ndihmuan Bosken të merrte me vete Nesoviç, i cili ishte i pavetëdijshëm, Zhdukja e Nesoviç u raportua nga gruaja e tij, ndërsa policia dyshon se ai është vrarë, por trupi ende nuk është gjetur.
Kush është Veselin Miliç?
Shefi i policisë së Beogradit, Veselin Miliç është emëruar në këtë detyrë për herë në vitin 2013. Ai mbajti pozicionin e shefit deri në gusht 2018, kur kaloi në një detyrë të re dhe u bë këshilltar i Presidentit të Republikës së Serbisë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe ndihmësdrejtor për përmirësimin, organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Policisë.
Ndërsa disa e panë këtë si një ngritje në detyrë, të tjerë e panë si largimin e Miliçit nga një funksion i rëndësishëm, sepse Administrata e Policisë së Beogradit është administrata më e madhe dhe më e rëndësishme. Ai u emërua përsëri shef i Administratës së Policisë së Beogradit në fund të vitit 2020 dhe ende e mban këtë detyrë./mxh
