Last Updated on 06/09/2026 by EL
Një rast i dyshuar për korrupsion ka vënë në lëvizje autoritetet në Maqedoninë e Veriut, ku është arrestuar një person i punësuar në Qeveri, i cili dyshohet se ka kërkuar 1.500 euro në këmbim të sigurimit të një vendi pune.
Sipas Prokurorisë, i arrestuari i cili punonte si shofer i një zyrtari të lartë qeveritar, u kishte thënë se kishte ndikim te persona përgjegjës në qytetin e Shkupit dhe se mund të ndërhynte për punësimin e tij në konkursin për pranimin e zjarrfikësve.
Rasti është denoncuar nga vetë qytetari, i cili iu drejtua policisë pasi dyshohet se i ishte kërkuar shuma e parave. Pas nisjes së hetimeve, autoritetet organizuan një operacion të kontrolluar për dorëzimin e parave.
Më 4 shtator, i dyshuari është kapur në flagrancë duke marrë 500 euro, si pjesë e shumës prej 1.500 eurosh që dyshohet se kishte kërkuar për ndërhyrjen në procesin e punësimit.
Prokuroria ka nisur procedurë hetimore për veprën penale “Pranimi i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”. Ndërkohë, gjykata ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit.
Autoritetet maqedonase bëjnë të ditur se personi i arrestuar ishte i punësuar në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ku ushtronte detyrën e shoferit të një funksionari të lartë./ET
