Last Updated on 08/09/2025 by adminfjala
Edhe pse autori Ragip Gila ra në pranga, shkaqet që qëndrojnë pas atentatit të ndodhur sot në Shkodër mbeten ende mister.
Shënjestra e atentatit Erogen Brajoviç nuk është një emër i panjohur për policinë. Raportohet se në 2007-ën u akuzua për gjobëvënie. Në 2018-ën, gjatë operacionit të RENEA-s në Shkodër, u arrestua bashkë me të tjerë si pjesë e grupit të Bajrave. Emri i tij është përfolur si pjesë e një grupi në Mal të Zi, “Klani Škaljar” në Kotorr, por mbi këto dyshime nuk ka më shumë informacione zyrtare. Në 2020-ën OFL i dërgoi formularin për deklarim të pasurisë.
Më herët, Erogeni, njohur edhe me mbiemrin Vaso, ka spikatur në sport dhe në jetën politike lokale të qytetit. Ai ka qenë pjesë e ekipit të futbollit të Vllaznisë për disa ndeshje, ndërsa më vonë anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, zgjedhur nën siglën e PBDNJ-së. Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Brajoviç, pjesë e grupit të njohur “Bajri” të Dobraçit.
Denis Brajoviç akuzohet nga SPAK për vrasjen e Gjin Boriçit në gusht të vitit 2020 në Vaun e Dejës, një ngjarje e cila u zbardh nga komunikimet e koduara në “SkyECC”, në dosjen “Metamorfoza” në korrik të 2023-shit. Gjin Boriçi, sipas dosjes, u vra për llogari të Ervis Martinaj. Krimin e mori përsipër ta organizojë Behar Bajri, i cili në fakt e kishte mik personin për të cilin mori porosi të vrasë.
Por ky fakt nuk e pengoi të organizojë vrasjen perfekte të tij, e madje t’i shkonte në varrim. Denis Brajoviç mori rolin e ekzekutorit. Gati 5 vite pas ngjarjes, ai u arrestua në Dubai dhe u ekstradua në Shqipëri në korrik të këtij viti për t’u përballur me drejtësinë.
Masakrës së këtij 8 shtatori, hetuesit nuk i kanë gjetur edhe një pistë konkrete, por dyshimet shkojnë drejt hakmarrjes, për një tjetër masakër në Shkodër. Atë të 30 tetorit 2024 në Dobraç, ku u vranë 4 persona, Hamza Lici, miku i tij Arlind Bushati, dhe një çift i pafajshëm bashkëshortësh që udhëtonin me motor dhe u kapën aksidentalisht nga breshëria e plumbave. m.p.
