Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka inkasuar mbi 1 miliard euro tatime gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje prej 58 milionë eurosh apo 6 për qind krahasuar me vitin paraprak. Të dhënat u prezantuan në konferencën vjetore të këtij institucioni.
Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, tha se kjo arritje është realizuar pavarësisht mungesës së theksuar të stafit. “Sot gjendja është mbi 1 miliardë që ATK ka realizuar gjatë këtij viti. Është meritë e juaja, duke pas parasysh që ATK po përballet me mungesë të numrit të punëtorëve, që sillen diku rreth 30 për qind, e me një moshë mesatare që kalon 51”, deklaroi ai, duke shtuar se pavarësisht këtyre kushteve, institucioni ka arritur “të krijojë të hyra që kalon 1 miliardëshin”.
Sipas ATK-së, kontributet pensionale gjatë vitit 2025 kanë arritur në 354 milionë euro, ndërsa në total tatimet dhe kontributet kanë shkuar në 1.366 miliardë euro.
Gjatë këtij viti, ATK ka zhvilluar mbi 24 mijë kontrolle përmbushëse dhe mbi 7 mijë vizita në terren, nga të cilat janë identifikuar 86.3 milionë euro tatim shtesë. Po ashtu, janë shqiptuar mbi 23 mijë gjoba, me vlerë rreth 3 milionë euro.
Në kuadër të luftimit të informalitetit, ATK ka identifikuar mbi 240 mijë tatimpagues aktivë dhe ka njoftuar se gjatë vitit 2025 janë fiskalizuar mbi 2 mijë biznese të reja. m.p.
