Australia ka ndërmarrë një hap historik në drejtimin e forcave të saj të armatosura. Për herë të parë, një grua do të marrë drejtimin e ushtrisë, në kuadër të një riorganizimi të lidershipit të mbrojtjes.
Kryeministri Anthony Albanese njoftoi se gjeneral-lejtënant Susan Coyle, aktualisht shefe e kapaciteteve të përbashkëta, do të marrë detyrën e shefes së ushtrisë në muajin korrik. Ajo do të zëvendësojë gjeneral-lejtënant Simon Stuart.
55-vjeçarja Coyle, e cila iu bashkua ushtrisë australiane në vitin 1987, do të jetë gruaja e parë që drejton një degë të forcave të armatosura në historinë e vendit.
Emërimi i saj vjen në një kohë kur ushtria australiane po përpiqet të rrisë përfaqësimin e grave në radhët e saj, mes akuzave për ngacmime seksuale dhe diskriminim sistematik. Aktualisht, gratë përbëjnë rreth 21% të Forcave të Mbrojtjes Australiane dhe vetëm 18.5% të roleve drejtuese. Objektivi është që kjo përqindje të arrijë në 25% deri në vitin 2030.
Në tetor të vitit të kaluar, ndaj forcave të armatosura u ngrit edhe një padi kolektive, ku pretendohet se mijëra gra nuk janë mbrojtur nga abuzimet dhe diskriminimi gjatë shërbimit.
Në kuadër të ndryshimeve në drejtim, qeveria australiane emëroi gjithashtu zëvendësadmiralin Mark Hammond, aktualisht në krye të marinës, si komandantin e ri të Forcave të Mbrojtjes, duke zëvendësuar admiralin David Johnston./MXH
