Një festë e veçantë është mbajtur në kopshtin zoologjik të Berlinit, ku gorilla më e vjetër në botë, Fatou, ka festuar 69-vjetorin e lindjes.
E rrethuar nga kujdestarët dhe vizitorë të shumtë, Fatou vazhdon të jetë një figurë e dashur dhe e veçantë në këtë kopsht zoologjik. Sipas kujdestarit Lennard Gaudian, edhe pse mosha ka sjellë sfidat e saj, ajo vazhdon të jetë në gjendje të mirë dhe ruan një personalitet të fortë.
Për shkak të moshës së avancuar, Fatou nuk ka më dhëmbë, ndaj dieta e saj përbëhet kryesisht nga ushqime të gatuara dhe të buta, si perimet, për ta bërë më të lehtë ushqyerjen. Gjithashtu, ajo vuan nga artriti, çka e bën lëvizjen më të vështirë, ndaj jeton në një hapësirë të veçantë për të pasur qetësi.
Kuratorja e lartë në kopshtin zoologjik të Berlinit, Jennifer Hahn, thekson se Fatou është rasti më unik i njohur deri më sot, pasi asnjë gorillë tjetër nuk ka arritur këtë moshë të dokumentuar. Për këtë arsye, ajo është përfshirë edhe në Librin e Rekordeve Guinness si gorilla më e vjetër në botë.
Në natyrë, gorillat zakonisht jetojnë deri në 30-35 vjet, shumë më pak se në kushte të mbrojtura si kopshtet zoologjike.
Pavarësisht viteve, Fatou vazhdon të lërë përshtypje me praninë e saj, duke u konsideruar si “zonja e madhe” e shtëpisë së majmunëve, një simbol i jetëgjatësisë dhe përkujdesjes së veçantë ndaj kafshëve./mxh
