Nisma e presidentit të Këshillit Europian, António Costa, për të hapur kanale diplomatike me qeverinë ruse po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje në Evropë.
Përpara samitit të Bashkimit Evropian, kancelari austriak Christian Stocker deklaroi se mbështet përpjekjet e Costës për të nxitur dialogun me Moskën.
“Ka mundësi që tani të ketë një shtysë të re që vëmendja të përqendrohet më shumë te përfundimi i kësaj lufte”, tha Stocker gjatë një takimi me gazetarët e mediave gjermanishtfolëse.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nuk duhen krijuar pritshmëri të tepruara për një paqe të shpejtë. Sipas tij, kushtet bazë për negociata nuk ekzistojnë për sa kohë presidenti rus Vladimir Putin nuk tregon gatishmëri për dialog.
“Për sa kohë Putini beson se mund të arrijë më shumë në fushën e betejës sesa në tryezën e negociatave, nuk do të ketë zgjidhje. Për këtë arsye, ne duhet të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, theksoi kancelari austriak./mxh
