Austria do të nisë një hetim parlamentar për përdorimin e syzeve inteligjente, mes shqetësimeve në rritje për cenimin e privatësisë dhe regjistrimin e fshehtë të qytetarëve. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga sekretari i shtetit për dixhitalizimin, Alexander Pröll, i cili prezantoi një propozim me tri faza për rregullimin e kësaj teknologjie.
Sipas transmetuesit publik austriak ORF, syzet inteligjente, të cilat mund të pajisen me kamera, mikrofonë dhe funksione të inteligjencës artificiale, do t’i nënshtrohen kufizimeve të posaçme për regjistrimin e imazheve dhe zërit.
Propozimi parashikon ndalimin e regjistrimeve në ambiente të ndjeshme, si shkollat, kopshtet, dhomat e zhveshjes, tualetet, gjykatat, burgjet, si dhe objektet policore dhe ushtarake. Ndërkohë, në hapësirat publike, regjistrimet duhet të jenë qartësisht të dukshme për personat e tjerë.
Sipas Pröll, hetimi parlamentar do të përfshijë ekspertë të shkencës, teknologjisë dhe mbrojtjes së të dhënave, si dhe përfaqësues të personave që mund të preken nga përdorimi i këtyre pajisjeve.
Autoritetet austriake kanë përjashtuar mundësinë e një ndalimi të plotë të syzeve inteligjente, duke synuar të gjejnë një ekuilibër mes zhvillimit teknologjik dhe mbrojtjes së privatësisë. Qëllimi është të parandalohet regjistrimi i njerëzve pa dijeninë ose pëlqimin e tyre, ndërsa teknologjia vazhdon të zhvillohet./mxh