Last Updated on 25/09/2026 by Monika
Klan News ka siguruar fotot ekskluzive të autorëve të vrasjes së 44-vjeçarit Artan Myrtaj pak ditë më parë në Sarandë.
Ky që shihni në këtë pamje është autori, i cili mban dy armë dhe është i veshur me një xhup në ngjyrë jeshile, pantallona të zeza dhe me skafandër në kokë.

Fotoja është shkëputur nga kamerat e sigurisë. Fillimisht, autori ka qëlluar me pistoletën me silenciator dhe, pasi i është bllokuar, ka qëlluar me pistoletën tjetër që e mban në dorën e djathtë.
Në foton tjetër është drejtuesi i motorit me targa greke, i cili ka ndihmuar autorin për t’u larguar.
Pas ekzekutimit, sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, autorët kanë shkuar drejt Konispolit, teksa nuk përjashtohet mundësia që të jenë arratisur ilegalisht drejt Greqisë.
Artan Myrtaj u vra paraditen e së dielës, më 20 shtator, në zonën e njohur si ish-Agjencia, në qytetin e Sarandës, ku, krahas tij, u plagos edhe një 73-vjeçar.
Ekzekutimi i tij dyshohet se lidhet me një sërë ngjarjesh të regjistruara në Sarandë, që zanafillën e kanë në një plagosje të regjistruar në korrik të vitit 2025. Myrtaj rezulton të ketë qenë pjesë e atij konflikti, ndaj dhe hetuesit janë përqendruar te kjo pistë hetimi.
Për zbulimin e autorëve, policia ka pyetur mbi 30 persona, por ende nuk ka rënë në gjurmët e tyre.
Pas ngjarjes, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ngriti një grup të posaçëm hetimor për të verifikuar situatën kriminale në qytetin e Sarandës.
Me firmën e kryepolicit, u zëvendësua shefi i Komisariatit, Feliks Hodo, i cili u transferua në Dibër. Ndërsa Komisariati i Policisë së Sarandës do të drejtohet në vijim nga Saimir Shkambaj./mxh
