Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar një udhëzim të ri “Për imunitetin nga gjobat dhe lehtësimin e gjobave në rastet e marrëveshjeve të ndaluara”.
Udhëzimi parashikon që Autoriteti i Konkurrencës do të japë imunitet nga çdo gjobë që përndryshe do t’i ishte vendosur një ndërmarrjeje që zbulon pjesëmarrjen e saj në një kartel të dyshuar që ndikon në tregun shqiptar, nëse ajo ndërmarrje është e para që paraqet informacion dhe prova të cilat do ta lejojnë Autoritetin e Konkurrencës të kryejë një inspektim të posaçëm në lidhje me kartelin e supozuar ose të konstatojë shkelje të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” në lidhje me kartelin e pretenduar.
Për të përfituar imunitet nga gjoba, firma duhet të paraqesë një përshkrim të detajuar të marrëveshjes së dyshuar të kartelit, duke përfshirë, për shembull, qëllimet, aktivitetet dhe funksionimin e tij; produktin ose shërbimin në fjalë, shtrirjen gjeografike, kohëzgjatjen dhe vëllimet e vlerësuara të tregut të prekura nga karteli i dyshuar; datat specifike, vendet, përmbajtjen dhe pjesëmarrësit në kontaktet e dyshuara të kartelit, si dhe të gjitha shpjegimet përkatëse në lidhje me provat e ofruara në mbështetje të kërkesës.
Për tu kualifikuar, një ndërmarrje duhet të jetë e para që ofron prova inkriminuese të kartelit të pretenduar, si dhe një deklaratë që përmban llojin e informacionit, i cili do t’i mundësonte Autoritetit të Konkurrencës të gjente një shkelje të ligjit.
Imuniteti nuk do të jepet nëse, në kohën e paraqitjes së kërkesës, Autoriteti i Konkurrencës kishte prova të mjaftueshme për të miratuar një vendim për të kryer një inspektim në lidhje me kartelin e supozuar ose e kishte kryer tashmë inspektimin në lidhje me kartelin.
Përveç kushteve të mësipërme, ndërmarrja që aplikon për imunitet nga gjoba duhet të bashkëpunojë sinqerisht, plotësisht, në mënyrë të vazhdueshme dhe me shpejtësi që nga momenti kur paraqet kërkesën e saj dhe përgjatë gjithë procedurës administrative të Autoritetit të Konkurrencës.
Ajo duhet t’i ofrojë menjëherë Autoritetit të Konkurrencës të gjitha informacionet dhe provat përkatëse në lidhje me kartelin e supozuar që vijnë në zotërim të saj ose janë në dispozicion të saj; të qëndrojë në dispozicion të Autoritetit të Konkurrencës për t’iu përgjigjur menjëherë çdo kërkese që mund të kontribuojë në përcaktimin e fakteve; të vendosë në dispozicion e punonjësve dhe drejtorëve aktualë për intervista me Autoritetin e Konkurrencës; të mos shkatërrojë, falsifikojë ose fshehë informacionin ose provat përkatëse që lidhen me kartelin e supozuar dhe të mos zbulojë aplikimin e saj për imunitet nga gjoba përpara se Autoriteti i Konkurrencës të ketë lëshuar një vendim në lidhje me rastin.
Gjithashtu, ndërmarrja duhet t’i ketë dhënë fund përfshirjes së saj në kartelin e dyshuar menjëherë pas aplikimit të saj, përveç asaj që, sipas vlerësimit të Autoritetit të Konkurrencës, do të ishte e nevojshme në mënyrë të arsyeshme për të ruajtur integritetin e inspektimeve.
Ndërmarrjet që zbulojnë pjesëmarrjen e tyre në një kartel të dyshuar që ndikon në tregun shqiptar, të cilat nuk i plotësojnë kushtet për të përfituar imunitet nga gjoba, megjithatë, mund të kualifikohen për të përfituar nga një ulje gjobe që mund të ishte vendosur.
Për t’u kualifikuar, një ndërmarrje duhet t’i paraqesë Autoritetit të Konkurrencës prova të shkeljes së pretenduar, të cilat përfaqësojnë vlerë të shtuar të konsiderueshme në lidhje me provat që tashmë ka Autoriteti i Konkurrencës. Koncepti i ‘vlerës së shtuar’ i referohet masës në të cilën provat e ofruara forcojnë, nga vetë natyra ose niveli i detajeve të tyre, aftësinë e Autoritetit të Konkurrencës për të provuar kartelin e supozuar.
Në këtë vlerësim, Autoriteti i Konkurrencës në përgjithësi do të konsiderojë provat me shkrim që burojnë nga periudha kohore së cilës i përkasin faktet si të kenë një vlerë më të madhe sesa provat e përcaktuara më pas. Provat inkriminuese që lidhen drejtpërdrejt me faktet në fjalë në përgjithësi do të konsiderohen si të kenë një vlerë më të madhe sesa ato me vetëm rëndësi indirekte.
Autoriteti i Konkurrencës do të përcaktojë në çdo vendim të miratuar në fund të procedurës administrative nivelin e reduktimit të cilin do të përfitojë një ndërmarrje, në krahasim me gjobën që përndryshe do të vendosej.
Për ndërmarrjen e parë që ofron vlerë të shtuar të konsiderueshme mund të vendoset një ulje nga gjoba prej 30%-50%; për ndërmarrjen e dytë një ulje prej 20%-30%; për ndërmarrjet pasuese që ofrojnë vlerë të shtuar të konsiderueshme një ulje deri në 20%./Monitor.al/kb
