Last Updated on 26/10/2025 by Leonard
Nga Leonard Veizi
Është e pamundur të vizitosh Filadelfian në Shtetet e Bashkuara dhe të mos ndalesh për një fotografi pranë “Kapëses”. Si çdo qytet që krenohet me simbolet e veta, edhe Filadelfia ka një simbol gjigante çeliku si një shenjë dalluese të identitetit të saj urban. Vizitorët ndalen, qeshin, bëjnë foto nën hijen e saj, dhe në atë çast bëhen pjesë e dialogut midis artit dhe jetës së përditshme që kjo skulpturë frymëzon…
…Në qendër të Filadelfias, mes zhurmës së qytetit dhe ndërtesave të larta, ngrihet një monument gjigante prej çeliku dhe bronzi. “The Clothespin” nuk është thjesht një vepër arti – është një kujtim i detyrueshëm për çdo udhëtar që ka shkelur në zemrën e qytetit. Çdo herë që dielli preket mbi sipërfaqen e saj të ftohtë, dy “gjymtyrët” e kapëses duken sikur përqafojnë qytetin – një shenjë e heshtur dashurie dhe uniteti mes njerëzve. Ajo nuk është thjesht një skulpturë; është dialog midis artit dhe jetës urbane. Kapësja, një objekt i përditshëm i bërë gjigant, sfidon seriozitetin e ndërtesave përreth dhe të kujton se bukuria dhe humori mund të gjenden kudo, madje edhe te gjërat më të zakonshme. Për banorët dhe vizitorët, “The Clothespin” është një pikë orientimi emocional, një shenjë se dashuria dhe bashkimi mund të qëndrojnë mes ngrehinave të betoni dhe rrugëve të zhurmshme.
Filadelfia
Filadelfia është një qytet historik dhe i rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i vendosur në shtetin Pensilvani, pranë kufirit me Nju Xhersin. Ai ka një rëndësi të veçantë historike, kulturore dhe ekonomike.
Filadelfia luajti një rol kyç në krijimin e SHBA-së. Aty u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë më 1776 dhe Kushtetuta e SHBA-së më 1787.
Sot, me rreth 1.6 milion banorë, është qyteti i pestë më i madh në SHBA dhe njihet si një qytet modern me ndërtesa të larta, muze, skulptura publike, teatro dhe universitete të njohura.
Një skulpturë ikonike
“The Clothespin” apo “Kapësa e rrobave” është një skulpturë monumentale e artistit amerikan Klas Oldenburg, e vendosur në qendër të Filadelfias, përballë Bashkisë, që prej vitit 1976. Ajo përfaqëson një kapëse rrobash 13 metra të lartë, e bërë prej çeliku dhe bronzi. Në pamje të parë duket një objekt i zakonshëm i përditshëm, por Oldenburg ishte i njohur për ta shndërruar banalitetin e jetës së përditshme në art monumental.
Po çfare simbolizon “The Clothespin”?:
Dashuri dhe bashkim
Në pjesën e sipërme, dy “gjymtyrët” e kapëses duken si dy figura njerëzore që përqafohen. Kjo është parë si simbol i dashurisë dhe i unitetit, veçanërisht sepse skulptura u inaugurua në vitin 1976, për 200-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së.
Dialog me qytetin
E vendosur përballë kullës së lartë të Bashkisë, kapësa krijon një kontrast mes artit pop dhe arkitekturës historike monumentale. Oldenburg shpesh zgjidhte objekte të zakonshme për t’i vënë përballë simboleve të pushtetit dhe historisë.
Humor dhe pop art
Ajo mishëron filozofinë e Oldenburgut për ta çuar artin në jetën e përditshme. Një kapëse e zakonshme rrobash, e bërë gjigante, bëhet shenjë e pranisë së artit në hapësirën urbane, duke i dhënë qytetit një dozë ironie dhe loje.
Pra, “The Clothespin” është një simbol i dashurisë, i bashkimit dhe një shembull i artit pop që e ngre përditshmërinë në nivel ikonik.
