Last Updated on 22/05/2026 by EL
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka paralajmëruar qytetarët që mos të bien pre e mashtrimeve në rrjetet sociale. Përmes një njoftimi zyrtar ata theksojnë se një link i shpërndarë në Facebook imiton platformën zyrtare e-Albania me qëllim vjedhjen e të dhënave personale
“Kujdes nga faqet false që imitojnë institucionet zyrtare!
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është njoftuar për një rast phishing të shpërndarë përmes rrjeteve sociale, kryesisht në Facebook, ku përdoruesit ridrejtohen në një faqe që imiton platformën zyrtare e-Albania me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe kredencialeve të aksesit.
Menjëherë pas identifikimit të rastit, AKSK ka ndërmarrë masat përkatëse dhe në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës janë dërguar për bllokim pranë AKEP”, shkruhet në faqen zyrtare të Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Në njoftim theksohet se e-Albania aksesohet vetëm përmes adresave zyrtare institucionale. Ndër të tjera qytetarët këshillohen që të mos të klikojnë në linke të dyshimta apo të vendosin të dhënat personale apo bankare në faqe të pa verifikuara.
“BËNI KUJDES!
Mos klikoni në linke të dyshimta që ju vijnë në rrjetet sociale apo aplikacione komunikimi.
Mos vendosni të dhënat tuaja personale apo bankare në faqe të pa verifikuara.
Verifikoni gjithmonë adresën zyrtare të platformave përpara se të identifikoheni.
Platforma zyrtare e e-Albania aksesohet vetëm përmes adresave zyrtare institucionale.
Sulmet phishing synojnë të mashtrojnë qytetarët përmes imitimit të faqeve të njohura dhe kërkojnë vigjilencë të shtuar nga çdo përdorues online”, përfundon njoftimi./et
