Marina Meksikane konfirmoi të hënën, 22 dhjetor se një nga avionët e saj u rrëzua pranë qytetit Galveston, në shtetin amerikan të Teksasit, pasi një mision mjekësor dështoi.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën pesë persona, ndërsa dy të tjerë kanë shpëtuar pa lëndime. Një person tjetër rezulton ende i zhdukur.
Operacionet e kërkim-shpëtimit u kryen nga Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara, e cila e gjeti avionin të rrëzuar në det.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Ministria e Punëve të Jashtme e Meksikës shprehu ngushëllimet për humbjen e jetëve dhe bëri të ditur se ka kontaktuar autoritetet lokale përmes Konsullatës së Përgjithshme të Meksikës në Hjuston, me qëllim ofrimin e mbështetjes për familjet e viktimave.
Sipas raportimeve lokale, avioni po përgatitej për t’u ulur në momentin e aksidentit. Ngjarja ndodhi në kushte të vështira atmosferike, teksa zona ishte përfshirë nga mjegull e dendur./kb
