Last Updated on 22/09/2026 by EL
Një ditë më parë avokati Alban Duraj deklaroi në emisionin “Breaking” se kishte dijeni për vendndodhjen e Bleona Matës, e cila rezulton e zhdukur prej 16 vitesh. Sipas tij, vajza që tashmë është 22 vjeçe, është një studente ekselente dhe është e birësuar nga një çift grek.
Këto deklarata janë hedhur poshtë nga avokati i nënës së Bleonës, Idajet Beqiri, i cili ka folur sot në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”. Ai e ka cilësuar deklaratën të papaërgjegjshme dhe u shpreh se Duraj nuk ka lidhje me çështjen.
“Jo vetëm që është e papërgjegjshme, por krijon probleme ligjore, e hedh organin e akuzës në një drejtim që nuk duhet të shkojë. Gjithashtu ka probleme të rëndë me familjen, nënën e Bleonës, njerëzit e tjerë të dashur, vëllain e saj. Ua ngacmon plagën padrejtësisht. Ky person nuk ka lidhje, nuk e di pse është futur këtu”, tha avokati.
Gjithashtu ai tha se nëna e Bleonës, është përballur prej vitesh deklarata dhe teori të ndryshme mbi fatin e vajzës.
“Dikush thotë është martuar këtu, dikush e gjetëm këtu, dikush thotë është adoptuar. Ka plot teori. Me dhimbje i pret të gjitha, edhe këtë deklaratë, por e di që është një gënjeshtër, mashtrim i madh”, tha avokati.
I pyetur nëse kishte ndonjë informacion se për kë bëhej fjalë, në lidhje me vajzën e përmendur nga avokati Duraj, Beqiri e mohoi kategorikisht.
“Madje është vepër penale. Nuk dua të flas shumë për të, komuniteti jonë ka lloj-lloj njerëzish. U bë vetting gjithandej, por duhet bërë dhe brenda avokatëve. Çfarë nuk po dëgjojmë”, vijoi avokati.
Sipas tij, hetimet për rastin e Bleonës janë në një tjetër drejtim dhe deklarata të tilla shpërqendrojnë vëmendjen nga çështja. Gjithashtu ai është shprehur se rasti i Bleona Matës është një fatkeqësi e madhe, e cila prej 16 vitesh nuk po merr një drejtim.
“Është si puna e kungulleshkës, një erë e merr çështjen Prokuroria e Kukësit dhe e ndalon, e dërgon te Policia. Kjo e merr dhe e kthen sërish te Prokuroria që më pas ia dërgon SPAK. SPAK nuk bën gjë. Momentalisht është çështje e ‘vdekur’, është e pezulluar, nuk ka ndonjë gjë konkrete në drejtimin e duhur. Është një fatkeqësi e madhe, në krim kaq i madh prej 16 vitesh, sot vajza është 22 vjeçe, nuk merr drejtimin e duhur çështja”, përfundoi avokati Beqiri./et
