Kryetar i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, deklaroi sot se ‘de facto’, zgjedhja e Endri Shabanit për detyrën e Avokatit të Popullit është pjesë së një maarrëveshjeje mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha.
Qori akuzoi demokratët se nuk mund t’i ‘shpëtojnë’ lidhjes me Shabanin, pasi sipas tij ishin pjesë e një koalicioni me të dhe një aleance faktike.
“Endri Shabanin nuk e ka bërë Avokat Populli vetëm Edi Rama. E ka bërë Edi Rama me Sali Berishën dhe kjo është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë Rama-Berisha, që do prekë, kam frikë unë, Reformën në Drejtësi, për t’i pamundësuar SPAK-ut që të pezullojë nga detyra dhe të marrë masa paraburgimi për politikanët e korruptuar. Endri Shabani, sot që flasim, është anëtar i një koalicioni ku bën pjesë edhe zoti Berisha e të gjitha partitë e tjera opozitare, përveç “Lëvizjes Bashkë”. Kur kandidoi zoti Binaj, Shabani, Lapaj dhe Berisha ishin pjesë e një koalicioni. “De facto” e kanë në koalicion të gjithë, mund ta shajnë sa të duan, por e kanë në koalicion. Aleanca është faktike dhe nuk e kuptoj këtë hipokrizinë e gjithanshme për të thënë që nuk kemi të bëjmë me këtë person. Shabani u zgjodh me votat e dyshes Rama-Berisha”,-tha Qori./mxh
