Shtëpia prestigjioze e modës Balenciaga ka një drejtuese të re kreative dhe emri i saj është Martine Rose. Dizajnerja britanike pason Pierpaolo Picciolin, largimi i të cilit u bë publik vetëm pak orë përpara njoftimit të emërimit të saj nga grupi Kering.
Ky ndryshim shënon një kapitull të ri në historinë e markës franceze, ndërsa Rose bëhet gruaja e parë dhe personi i parë me origjinë afrikane që merr drejtimin kreativ të Balenciaga-s.
E lindur në Londër në vitin 1980, me origjinë angleze dhe xhamajkane, Martine Rose ka ndërtuar një profil të veçantë në industrinë e modës, duke ndërthurur kulturën urbane, stilin streetwear dhe elementet e modës bashkëkohore. Vizioni i saj njihet për sfidimin e konventave dhe qasjen e pazakontë ndaj veshjeve.
Ajo do të nisë zyrtarisht detyrën e re më 16 nëntor, duke u vendosur në Paris, ku do të udhëheqë drejtimin artistik të shtëpisë së modës.
ADVERTISING
Emërimin e saj e ka komentuar edhe Luca de Meo, CEO i grupit Kering, i cili vlerësoi lidhjen e dizajneres me kulturën bashkëkohore dhe gjeneratat e reja.
“Balenciaga ka qenë gjithmonë një shtëpi e karakterizuar nga kreativiteti radikal, e aftë të sfidojë konventat dhe të ripërcaktojë kufijtë e modës. Martine Rose e mishëron këtë frymë me një vizion të freskët, të guximshëm dhe thellësisht bashkëkohor”, u shpreh ai.
Nga ana e saj, dizajnerja e cilësoi këtë emërim si një privilegj të veçantë, duke theksuar se synon të respektojë trashëgiminë e Balenciaga-s, ndërsa i jep markës një drejtim të ri.
“Para meje, Balenciaga është formësuar nga talente të jashtëzakonshme krijuese. Jam e vendosur ta nderoj këtë trashëgimi dhe mezi pres të shkruaj kapitullin e radhës të kësaj historie të pasur dhe të mrekullueshme”, deklaroi Rose.
Emërimi i saj vjen në një moment ndryshimesh për industrinë e luksit dhe pritet të sjellë një tjetër perspektivë në identitetin estetik të Balenciaga-s./mxh
