Last Updated on 12/09/2026 by EL
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se vendimi që pritet të shpallet më 16 shtator nga Gjykata Speciale në Hagë duhet të jetë pafajësia e plotë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në një intervistë për Klan Kosova, pas marshimit masiv të zhvilluar në Prishtinë në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Balla tha se pjesëmarrja e qytetarëve ishte një mesazh i qartë i popullit të Kosovës.
“Populli i Kosovës foli qartë. Më 16 shtator drejtësia e vetme që mund të bëjë gjykata është pafajësia e plotë e katër komandantëve”, u shpreh ai.
Balla e cilësoi procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së si një farsë shumëvjeçare që duhet të marrë fund, duke argumentuar se Gjykata Speciale ka dalë përtej mandatit për të cilin u krijua. Sipas tij, akuzat ndaj UÇK-së përbëjnë një sulm jo vetëm ndaj komandantëve të saj, por ndaj vetë luftës çlirimtare të Kosovës dhe popullit shqiptar.
Ai theksoi se historia e akuzave ndaj UÇK-së lidhet me raportin e Dick Marty-t, të cilin e konsideroi produkt të pretendimeve të ngritura fillimisht në Beograd dhe të përdorura më pas kundër Kosovës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS bëri thirrje për unitet të shqiptarëve kudo që ndodhen, duke theksuar se çështja e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së është një çështje me interes kombëtar.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë për liri dhe çlirim. Nuk mund të barazohen ata që kryen krime në Kosovë me ata që luftuan për çlirimin e vendit. Kjo farsë duhet të marrë fund”, deklaroi Balla./et
