Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me bashkë-raporterët për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ionut-Marian Stroe dhe Pawel Jablonski.
Pjesë e diskutimeve, Balla shprehet se ka qenë edhe nisma ligjore e ndërmarrë nga mazhoranca për referendumet, si një mekanizëm i ushtrimit të drejtpërdrejtë të sovranitetit nga qytetarët.
Balla nënvizon se Shqipëria vijon të garantojë dhe respektojë të drejtat e minoriteteve, ndërsa në fushën e lirisë së medias thekson se Kuvendi ka miratuar pak javë më parë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët. Në përfundim, Balla nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në rrugën e reformave drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Takimi me bashkë-raporterët për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ionut-Marian Stroe dhe Pawel Jablonski. Jemi të gatshëm të ecim përpara sëbashku me opozitën me reformën zgjedhore dhe atë administrativo-territoriale. Diskutuam edhe mbi nismën tonë ligjore për referendumet si forma e ushtrimit të drejtpërdrejtë të sovranitetit të popullit, një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, por e pamundësuar nga mungesa e ligjit. Shqipëria garanton dhe respekton të drejtat e minoriteteve, ndërsa sa i përket lirisë së medias Kuvendi miratoi pak javë më parë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët. Shqipëria vijon me vendosmëri në rrugën e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, thuhet në postimin e Ballës./kb
