Autoritetet italiane kanë zbuluar një “bankë fantazmë” në zonën industriale të Prato, e cila dyshohet se përdorej nga organizata kriminale italiane dhe grupe të huaja, përfshirë edhe rrjete shqiptare, për pastrimin e parave të pista.
Sipas hetimeve të Drejtorisë Antimafia në Florence, struktura funksiononte në fshehtësi të plotë dhe shërbente si qendër financiare paralele për qarkullimin e parave që vinin nga trafiku i drogës, kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore.
Hetuesit thonë se skema përdorte sistemin informal “hawala” dhe më pas legalizonte paratë përmes faturave fiktive në tregtinë ndërkombëtare, kryesisht me kompani kineze.
Sipas të dhënave paraprake, në këtë rrjet qarkullonin mbi 100 milionë euro në vit, të cilat futeshin si para të pista dhe dilnin si të ardhura të ligjshme biznesi.
Operacioni ka çuar në 41 masa sigurie, nga të cilat 17 janë arrestime me burg, ndërsa në total janë 57 persona nën hetim, mes tyre italianë, kinezë dhe shqiptarë.
Autoritetet italiane kanë sekuestruar rreth 60 milionë euro gjatë aksionit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin ndërkombëtar të skemës financiare kriminale./a.d
