Glyndebourne vë në skenë për herë të parë “Orfeun” e Monteverdit
Pas kuintave të provave të produksionit të ri të regjisorit dhe artistit të njohur Uilliam Kentrixh për operën legjendare të vitit 1607.
“Orfeu është një operë për vetë operën. Është një vepër për fuqinë e muzikës dhe për fuqinë e artit për të krijuar botën”, thotë regjisori dhe artisti vizual Uilliam Kentrixh.
E shkruar nga kompozitori italian Klaudio Monteverdi në vitin 1607, “Orfeu” konsiderohet si opera më e hershme që vazhdon të vihet në skenë edhe sot. Ajo u krijua në një kohë kur vetë opera sapo kishte lindur si formë artistike.
Monteverdi e quajti veprën e tij, të kompozuar për oborrin dukal të Mantovës, një “favola in musica” – një legjendë e treguar përmes muzikës.
“Monteverdi ishte një gjeni,” thotë dirigjenti Xhonatan Kohen. “Vepra flet për muzikantin më të famshëm të botës. Në prolog shfaqet figura alegorike e Muzikës, e cila deklaron se ka fuqinë të ndalë zogjtë së kënduari dhe të sundojë natyrën. Po kështu edhe Orfeu, përmes muzikës së tij, mund të lëvizë gurët, pemët, kafshët dhe emocionet njerëzore.”
Kjo është hera e parë që festivali prestigjioz operistik Glyndebourne e vë në skenë këtë kryevepër.
Muzika si forcë krijuese
Në konceptimin e Kentrixhit, në qendër të veprës qëndron figura e Muzikës.
“Muzika udhëheq prologun dhe, në njëfarë mënyre, krijon të gjithë operën. Në këtë produksion ajo shfaqet si një artiste në studion e saj, e cila pikturon skenat dhe mendimet ndërsa ato lindin.”
Studioja e artistit shndërrohet në boshtin vizual të veprës. Skenografia dhe projeksionet video, të gjitha të realizuara nga vetë Kentrixhi, krijojnë pyjet, peizazhet dhe botën e nëndheshme përmes vizatimeve me qymyr mbi fletore apo fletë të mëdha letre.
“Orfeu nuk mban një lirë,” shpjegon regjisori. “Ai mban fletoren e poetit. Të gjitha këngët e tij burojnë nga libri që ka në duar, sikur ai të ishte instrumenti i tij muzikor.”
Studioja në skenë është një përzierje e estetikës së Bauhaus-it me elemente të marra nga studioja personale e Kentrixhit në Johanesburg, të cilat janë transportuar posaçërisht nga Afrika e Jugut.
Zëri i humbur i Euridikës
Një nga risitë më interesante të këtij produksioni është mënyra se si trajtohet Euridika.
Në operën origjinale të Monteverdit, ajo ka vetëm dymbëdhjetë vargje për të kënduar. Në versionin e Kentrixhit, Euridika fiton një prani shumë më të madhe skenike dhe mbetet e pranishme deri në fund të veprës.
“Gjithmonë kanë ekzistuar dy këngë, jo një,” thotë regjisori. “Kënga e Orfeut, por edhe kënga e padëgjuar e Euridikës. Në rastin e saj, ajo shprehet përmes lëvizjes.”
Këtë dimension e mishëron valltarja Rozelin Uilkens, ndërsa koreografia është realizuar nga Gregori Makoma.
Një histori që udhëton nëpër kohë
Opera e Monteverdit mbështetet te miti i Orfeut, i njohur nga “Metamorfozat” e Ovidit. Por Kentrixhi ka marrë frymëzim edhe nga poeti gjerman Rainer Maria Rilke dhe sonetet e tij kushtuar Orfeut.
Për këtë arsye, veprimi është zhvendosur rreth viteve 1920, periudhë në të cilën shkruante Rilke.
“Në muzikën baroke ka shumë hapësira të lira,” thotë Kentrixhi. “Ka boshllëqe ku mund të futësh mendime anësore, reflektime dhe komente mbi historinë. Kjo u jep vizatimeve mundësinë të marrin formë.”
Një shpërthim risish
“Orfeu” ka mbijetuar për më shumë se katër shekuj edhe sepse, ndryshe nga shumë vepra të kohës, u shtyp dhe u ruajt në formë të shkruar.
Monteverdi përshkroi me kujdes instrumentet që kërkonte për interpretimin e saj – një ansambël i madh dhe luksoz për kohën.
Muzikantët e Orkestrës së Epokës së Iluminizmit interpretojnë me instrumente historike: teorbo, lirone, viola të hershme, harpa dhe organe të periudhës.
Një nga revolucionet më të mëdha të Monteverdit ishte bindja se muzika duhet t’i shërbejë fjalës. Ajo duhet të theksojë tekstin dhe të përcjellë emocionet.
“‘Orfeu’ ishte një shpërthim inovacioni,” thotë dirigjenti Kohen. “Askush më parë nuk kishte bashkuar kaq shumë stile muzikore në një vepër të vetme. Ishte sikur dikush të shfaqej me një biçikletë në një botë ku askush nuk kishte parë ndonjëherë një të tillë.”
Nga Monteverdi te Eurovisioni
Rolin e Orfeut e interpreton tenori polak Kristian Adam, i cili prej dy dekadash jeton në Sardenjë.
“Për të kënduar muzikën baroke duhet të vendosësh shpirtin tënd në të,” thotë ai. “Ka rregulla, por ka edhe shumë improvizim. Në muzikën e Monteverdit mund të dallosh fragmente që tingëllojnë si xhaz, madje edhe si rok apo pop.”
Ai shkon edhe më tej:
“Kënga ime ‘Vi ricorda, o boschi ombrosi’ mund të ishte fare mirë një këngë moderne pop. Mund të shkonte pa problem në Eurovision!”
Për Adamin dhe sopranon Françeska Aspromonte, e cila interpreton njëkohësisht Muzikën dhe Euridikën, kjo është paraqitja e parë në Glyndebourne.
“Monteverdi është një gjeni,” thotë Adam. “Kjo është opera ime e preferuar. Muzikalisht është e përkryer.”
Aspromonte pajtohet plotësisht:
“Ishte opera e parë që kam kënduar profesionalisht. Poezia dhe bukuria e saj janë të jashtëzakonshme. E dua pafundësisht.”
Në fund, dirigjenti Kohen e përmbledh arsyen pse kjo vepër vazhdon të jetojë pas më shumë se katërqind vjetësh:
“‘Orfeu’ flet për fuqinë e artit dhe të muzikës. Për aftësinë e tyre për të ndryshuar jetët e njerëzve, madje për të shndërruar vdekjen në jetë. Kjo është arsyeja pse vazhdon të mbijetojë. Dhe, sigurisht, sepse është një vepër gjeniale.”
