Banorët e fshatit Kalivaç në Trebinjë janë mbledhur në protestë duke bllokuar aksin e ri Qukës-Qafë Plloçë. Ata kundërshtojnë mbylljen e rrugës së vjetër të fshatit, pasi sipas tyre me ndërtimin e rrugës së re, inxhinierët kanë vendosur mbylljen e rrugës së vjetër hyrëse-dalëse të fshatit, duke bllokuar lëvizjen e banorëve drejt qytetit.
Ata sot kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste për disa minuta duke kërkuar që ARRSH të ndryshojë projektin.
Banorët kërcënojnë se në rast se nga ana e firmës nuk merren masa që rruga të mbetet e hapur, do të vijojnë protestat deri sa të jepet zgjidhje.
Në mbështetje të tyre është edhe administratori i njësisë Ilia Muço.
“Me të drejtë e kërkojnë, por si vend këtu nuk bëhet, se këtu është burim aksidenti, është kthesë e dyfishtë. Më thuaj një rrugë me kthesë të dyfishtë që ka dalje? Megjithatë të bisedojmë, tani këta i mbushin tokat me dhe se ky dhe që është sot, nuk ka qenë. Nuk na ka ardhur akoma përgjigje nga ARRSH. Pa u bërë rruga tjetër nuk do të mbyllet”, tha Muço./ K.M
