Banorët e fshatit Luz në Fushë-Krujë kanë dalë sot përsëri në protestë duke kërkuar rikonstruksion të rrugës që kalon përmes fshatit dhe lidh zonën me autostradën dhe pjesën tjetër të vendit.
Segmenti është pjesë e Unazës së Madhe të qytetit dhe prej vitesh struktura ka degraduar pasi aty kalojnë të gjitha mjetet e tonazheve të rënda të fabrikave të çimentove, guroreve e të tjera. Sot lëvizja e tyre është devijuar përmes Fushë-Krujës duke rënduar trafikun në qytet.
Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestës në rast se nuk marrin reagim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH). Aktualisht aksi është i bllokuar nga banorët, ndërsa ankohen për dëmtimin e automjeteve të tyre, si dhe për rrezikun që hasin çdo ditë nxënësit e një shkolle aty pranë.
“Kemi dalë për rrugën. Është copë copë. Taksat për makinat i paguajmë e në rrugë nuk futen dot”.
“Vetëm për turistët që vijnë në Krujë, të ishte rregulluar 50 herë kjo rrugë. Asnjë turist nuk shko tani në Krujë. Vijnë njerëz nga Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe habiten me këtë rrugë.”
“Është 1.5 km e gjatë. Këtu kalon 70-80% e gjithë materialeve të ndërtimit që ndërtohet në Shqipëri. Kjo ka një rrezik të madh për banorët sepse këtu kalojnë shumë kamionë. Rreziku kryesor është për fëmijët e shkollës që është këtu ngjitur. Ne protestojmë që shtetit të vendosë dorë në këtë rrugë para se të bëhet katastrofa. Ka pasur dhe aksidente”, thanë banorët.
Si qytetar i thjeshtë, u është bashkuar dhe ish-kandidati për deputet i PD-së Aulon Kalaja ndërsa bën me dije se banorët do t’i drejtohen ARRSH-së me një letër kërkesë për informacion mbi fondin e miratuar ose jo për rikonstruksionin e rrugës.
“Kanë dalë për të drejtën e tyre për rrugën. Edhe sot e kanë bllokuar rrugën se janë në të drejtën e tyre. I bën thirrje ARRSH, të vijë drejtori dhe të shohë rrugën. Janë bërë makinat çdo ditë për servis. Bizneset që janë këtu janë duke falimentuar. Është rrezik permanent për fëmijët e shkollës sepse nuk ka një mbikalim, kamionët u rrezikojnë jetën. Duhet asfalt i trashë se kalojnë kamionë dhe prishet. Do të bëjmë një shkresë për të kërkuar informacion nëse është miratuar fondi për rrugën e Luzit. Sot është devijuar trafiku dhe sot kanë hyrë kamionët në Fushë-Krujë. Po kaloni makina e drejtorit të ARRSH këtu, tërhiqemi të gjithë”, tha Aulon Kalaja./K.M
