Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe homologu i tij kinez, Wang Yi, zhvilluan bisedime në Moskë, vetëm pak orë para se presidenti rus Vladimir Putin të priste emisarin amerikan Steve Witkoff dhe dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Lavrov tha se misioni kryesor i dy vendeve është sigurimi i koordinimit të ngushtë në çështjet e politikës ndërkombëtare, përfshirë stabilitetin strategjik, sigurinë e besueshme të Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës, si dhe veprimet e përbashkëta në institucionet ndërkombëtare.
Wang Yi, në deklaratën e tij, falënderoi Rusinë për gjetjen e kohës për takim “në një ditë të ngarkuar, të tensionuar dhe të rëndësishme” për vendin dhe për presidentin Putin. Ai shtoi se kjo tregon nivelin e lartë të besimit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe rëndësinë e dialogut strategjik në momentet kyçe.
Më herët, Wang kishte zhvilluar bisedime edhe me sekretarin e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu.
Ndërkohë, Witkoff dhe Kushner mbërritën në Moskë pas takimeve të fundjavës me zyrtarë ukrainas dhe aleatët evropianë të Kievit, ku u përgatit një “kornizë e përditësuar dhe e rafinuar” e paqes për t’i dhënë fund luftës./mxh
