BRUKSEL – Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian diskutojnë sot mënyrat për të rritur konkurrueshmërinë e Evropës, një hap i domosdoshëm për të siguruar autonominë strategjike në një skenë globale të paqëndrueshme, ku marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe fqinjët lindorë janë më komplekse se kurrë. Debatet mbi konkurrueshmërinë kanë qenë të vazhdueshme për vite me radhë, edhe pas raporteve të prezantuara nga Mario Draghi dhe Enrico Letta, që analizuan arsyet e sfidave dhe ofruan zgjidhje konkrete.
Temat kryesore që do të diskutohen sot janë përfundimi i tregut të përbashkët, unioni i kursimeve dhe i investimeve, si dhe unioni energjitik. Vendet duhet të pranojnë të sakrifikojnë disa interesa të brendshme që frenojnë veprimet e përbashkëta, pasi barrierat mes shteteve dhe ato brenda vendeve janë ende shumë të forta. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se, në rast nevoje, do të përdoret instrumenti i bashkëpunimit të përforcuar për të kaluar pengesat.
Në fushën e kursimeve dhe investimeve, Parisi, Berlini dhe Roma janë të përbashkët në qëndrimin e tyre, por është e domosdoshme të kenë mbështetjen e qendrave financiare si Luksemburgu dhe Irlanda, për të mundësuar një hap të tillë.
Sa i përket borxhit të përbashkët, deri pak kohë më parë ky ishte një ndarës i madh midis “Frugalëve”, ku përfshihen Gjermania, Holanda dhe vendet e veriut dhe vendeve të Jugut, si Italia, Spanja, Greqia, Portugalia dhe Franca. Presidenti Emmanuel Macron ka rilancuar idenë e eurobond-ëve, ndërsa lufta në Ukrainë ka ndryshuar pak situatën, duke shtyrë vende si Danimarka dhe Finlanda të pranojnë borxhe të përbashkëta për shpenzime sigurie. Sidoqoftë, grantet, domethënë fonde të dhëna pa kthim mbeten tabu për Gjermaninë dhe Holandën, ndërsa diskutimi është më i hapur për huatë. Një hap konkret në këtë drejtim është propozimi i presidentit të Bankës Qendrore Gjermane, Joachim Nagel, për një aset të përbashkët, të sigurt dhe të lëvizshëm për gjithë eurozonën.
Në fushën e industrisë, Franca ka nxitur idenë e “preferencës europiane”, që përfshin mbështetje dhe stimuj për kompanitë që përdorin përqindje të konsiderueshme të produkteve të brendshme. Kjo lidhet me autonominë strategjike të BE-së, e cila është bërë një prioritet që nga presidenca e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së duan të mbrojnë industrinë e tyre, por ekzistojnë dallime: Italia mban një qëndrim të kujdesshëm dhe i varion interesat sipas sektorëve, ndërsa Gjermania propozon një qasje më fleksibile “made with EU”, duke mos mbyllur dyert për partnerët jashtë unionit. Një shembull i kompromisit ka qenë huaja prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, ku u arrit një marrëveshje që përfshinte edhe partnerë jashtë BE-së për furnizime të ndryshme.
Një nga çështjet më të diskutueshme është Green Deal dhe, veçanërisht, elektrifikimi i automobilave. Në këtë çështje ndahen vendet: Franca, Spanja, Danimarka dhe Holanda mbështesin eliminimin gradual të motorëve me djegie deri në 2035, ndërsa Gjermania, Italia, Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke kundërshtojnë këtë kufizim, duke kërkuar fleksibilitet. Megjithatë, të gjitha vendet janë të dakord se duhet thjeshtim i rregullave dhe zvogëlim i barrës burokratike, edhe pse mënyrat e realizimit ndryshojnë.
Huaja 90 miliardë euro për Ukrainën është një shembull i bashkëpunimit të përforcuar, ku disa vende u përjashtuan për të shmangur bllokimin nga vetot individuale. Vendet baltike kanë shtyrë për një zgjerim më të shpejtë të BE-së, ndërsa Gjermania, Italia dhe Polonia janë më të kujdesshme dhe Hungaria është kundër.
Marrëveshja tregtare me Mercosur, Argjentinë, Brazil, Paraguaj dhe Uruguaj, ka shkaktuar ndarje brenda BE-së. Franca, Polonia, Austria dhe Irlanda e kanë kundërshtuar fort, duke u përplasur me vendet eksportuese si Gjermania dhe Holanda. Italia ka kërkuar një balancim mes interesave të industrisë dhe mbrojtjes së sektorit bujqësor.
Bashkimi Evropian po përpiqet të harmonizojë interesat e ndryshme kombëtare për të rritur konkurrueshmërinë, duke ndërmarrë reforma, investime dhe masa konkrete që synojnë një ekonomi më të fortë, inovative dhe të integruar në nivel europian. /Corriere Della Sera//kb
