Në qendrat e gatimit të ngritura nga organizata humanitare amerikane Anera në Gaza, mijëra njerëz të zhvendosur po marrin çdo ditë ushqimin e vetëm të sigurt. Në kuzhinën komunitare në al-Zawayda, hapur pas armëpushimit gjashtë javë më parë, gatimi bëhet në kushte të vështira, me tenxhere gjigante mbi zjarre druri dhe me përbërës bazikë si hudhra, domatet e konservuara, specat dhe erëzat.
Anera thotë se tani arrin të ushqejë më shumë se 20 mijë persona në ditë dhe shërben për më shumë se 4 mijë familje – një rritje e konsiderueshme krahasuar me gjashtë muaj më parë. Përmirësimi i furnizimit vjen pasi pas dy muajsh bllokadë totale, ka hyrë më shumë ushqim në Gaza, kryesisht falë partneritetit me World Central Kitchen.
Megjithatë, mungesat vazhdojnë. Kuzhinat mund të përgatisin vetëm tre vakte bazë – oriz, makarona dhe thjerrëza – me përpjekje për të shtuar perime për shije dhe vlera ushqyese. Mishi dhe pula, ende të ndaluara për t’u sjellë si ndihmë humanitare, janë të paarritshme për organizatat për shkak të çmimeve të larta në treg.
Përmirësime të vogla janë bërë në shpërndarjen e vakteve: një kamion i vogël ka zëvendësuar karrocat me kuaj që dërgonin ushqimin nëpër kampe. Fëmijët presin me gëzim, sidomos kur shërbehet makarona, ndërsa UN raporton se numri i vakteve të shpërndara çdo ditë në Gaza ka arritur në 1.4 milion.
Situata humanitare mbetet e rëndë. Shumë familje, të ardhura kryesisht nga veriu i Gazës, jetojnë në tenda të improvizuara dhe mbështeten plotësisht te kuzhinat komunitare. Shumë prej tyre kanë humbur shtëpitë, të afërmit dhe çdo pasuri.
Agjencitë e OKB-së kërkojnë që Izraeli të hapë të gjitha pesë pikat e kalimit dhe të lehtësojë kufizimet ndaj organizatave humanitare, ndërsa Programi Botëror i Ushqimit thotë se një çerek i familjeve në Gaza hanë vetëm një vakt në ditë. Në mungesë të parave dhe furnizimeve të mjaftueshme, shumica e popullsisë vazhdon të jetojë në kushte katastrofike./mxh
