Komisioni Evropian pritet që javën e ardhshme të propozojë ndryshime rregullatore që do të përmbysin planet e mëparshme për ndalimin efektiv të shitjes së makinave të reja me motorë djegës në Bashkimin Evropian nga viti 2035. Lajmin e bëri të ditur kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili tha se ky është një hap i rëndësishëm për industrinë gjermane të automobilizmit.
Në një konferencë për shtyp në Heidelberg, Merz deklaroi se Gjermania nuk po vë në dyshim objektivat klimatike, por ka kërkuar gjithmonë që rruga drejt tyre të jetë “neutral ndaj teknologjive”. Sipas tij, informatat paraprake tregojnë se Komisioni do të propozojë javën e ardhshme një qasje të re që i lë hapësirë teknologjive të ndryshme, përfshirë motorët me djegie të brendshme.
Edhe Manfred Weber, president i Partisë Popullore Evropiane (EPP), mirëpriti nismën, duke theksuar se heqja e ndalimit për motorët me djegie është një vendim i duhur dhe se duhet të jenë tregu dhe konsumatorët ata që vendosin se si do të arrihen objektivat klimatike.
Propozimi, i cili pritet të zyrtarizohet më 16 dhjetor, përbën një fitore të rëndësishme politike për Gjermaninë, ekonominë më të madhe të bllokut, e cila ka lobuar fort për të mbrojtur industrinë e saj të automobilizmit në kushtet e konkurrencës së ashpër globale dhe barrierave gjithnjë e më të mëdha tregtare./mxh
