Komisioni Evropian planifikon të zhbllokojë 4,2 miliardë euro fonde të BE-së për Hungarinë, të ngrira më parë për shkak të shqetësimeve lidhur me korrupsionin gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orban.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se Hungaria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për forcimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e fondeve të BE-së.
Sipas Komisionit, qeveria e kryeministrit Peter Magyar ka bërë reforma, për më shumë transparencë në përdorimin e parave publike, luftën kundër korrupsionit, shmangien e konflikteve të interesit dhe përmirësimin e punës së prokurorisë.
Nëse plani miratohet, Hungaria do të mund të përdorë 4,2 miliardë euro për rajonet më të varfra, si dhe të marrë pjesë plotësisht në programet e BE-së, “Erasmus” për studentët dhe “Horizon” për financimin e kërkimeve shkencore.
Plani duhet ende të miratohet nga vendet anëtare të BE-së.
Në total, Komisioni Evropian ka parashikuar mundësinë e zhbllokimit të 16,4 miliardë eurove për Hungarinë, nëse zbatohen të gjitha reformat e kërkuara.
Një shumë tjetër prej rreth 1,3 miliardë eurosh, mbetet e ngrirë për çështje që lidhen me diskriminimin, azilin dhe luftën kundër varfërisë, pasi qeveria hungareze ende nuk ka paraqitur reforma për këto fusha./mxh
