Last Updated on 23/09/2026 by EL
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se Shqipëria po avancon me disa prej projekteve strategjike të transportit, në kuadër të Korridorit VIII dhe Korridorit Adriatiko-Jonian.
Në fjalën e tij në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm në Kinë, ku ishte i ftuar nga Ministri i Transportit të Kinës, Karakaçi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillimin e infrastrukturës së transportit.
Sipas ministrit, gara për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë është në fazën përmbyllëse dhe fituesi pritet të shpallet brenda muajit nëntor. Paralelisht, vijon puna për zgjerimin e aksit Elbasan-Qafë Thanë, ndërsa segmentet e para të bypass-it të Elbasanit janë kontraktuar dhe kanë nisur punimet.
Në kuadër të Korridorit Adriatiko-Jonian, Karakaçi bëri të ditur se edhe gara për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit është drejt përfundimit. Investimi, me vlerë rreth 360 milionë euro, pritet të hyjë në fazën e ndërtimit në fillim të vitit 2027.
Sa i përket autostradës Adriatiko-Joniane, ministri tha se po përgatitet studimi inxhinierik për segmentin Murriqan-Balldren, ndërsa dokumenti pritet t’i dorëzohet ministrisë në janar 2027. Studimi financohet përmes një granti të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, vijon puna për finalizimin e kontratës për autostradën Milot-Balldren dhe për projektin teknik përfundimtar.
Karakaçi deklaroi gjithashtu se, për shkak të paqartësive të ngritura së fundmi rreth këtij projekti, dokumentet do të bëhen publike në platformën Flamingo Mirror, me qëllim që të mundësohen verifikimet dhe transparenca për palët e interesuara.
Gjatë vizitës në Kinë, ministri zhvilloi gjithashtu takime me stafin akademik të Institutit të Teknologjisë në Shangai, me synimin për të nisur bashkëpunimin studimor në fushën e ujësjellës-kanalizimeve./et
