Last Updated on 17/11/2026 by Monika
Gjermania dhe 10 vende të tjera të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Komisionit Evropian të propozojë sa më shpejt legjislacion të ri për mbrojtjen e të drejtave të autorit nga përdorimi i pakontrolluar i materialeve krijuese prej inteligjencës artificiale, sipas “Euronews”.
Nismën e mbështesin Spanja, Polonia, Austria, Qiproja, Kroacia, Danimarka, Estonia, Portugalia, Sllovakia dhe Sllovenia, të cilat kërkojnë mbrojtje më të fortë për sektorin kulturor dhe krijues.
Shqetësimi kryesor lidhet me mënyrën se si trajnohen sistemet e avancuara të IA-së, përfshirë modelet e mëdha gjuhësore.
Këto sisteme përdorin triliona të dhëna të mbledhura nga interneti, ku përfshihen libra, artikuj, fotografi, muzikë dhe materiale të tjera të mbrojtura nga e drejta e autorit.
Sipas vendeve mbështetëse të nismës, shpesh ky proces kryhet pa marrë parasysh të drejtat e autorëve dhe krijuesve.
Çështja ka shkaktuar një përplasje interesash mes industrisë teknologjike dhe sektorit krijues. Kompanitë e teknologjisë paralajmërojnë se kufizimi i qasjes në materiale të mbrojtura mund ta dobësojë konkurrueshmërinë e Evropës ndaj SHBA-së dhe Kinës në garën për zhvillimin e IA-së.
Nga ana tjetër, artistët, shkrimtarët, gazetarët dhe krijuesit e tjerë argumentojnë se përdorimi i veprave të tyre pa leje ose kompensim përbën shfrytëzim të padrejtë dhe kërcënon të ardhurat e tyre.
Në dokumentin e përbashkët, 11 vendet theksojnë se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka ndryshuar rrënjësisht proceset krijuese dhe mënyrën se si njerëzit përjetojnë artin dhe kulturën.
Ato kërkojnë një ekuilibër mes inovacionit teknologjik dhe mbrojtjes së krijimtarisë njerëzore, duke garantuar njëkohësisht konkurrencë të ndershme mes kompanive evropiane dhe atyre jashtë BE-së.
Bashkimi Evropian ka tashmë një Direktivë për të Drejtën e Autorit, e cila u jep krijuesve mundësinë të kundërshtojnë përdorimin e veprave të tyre për trajnimin e sistemeve të IA-së. Megjithatë, 11 vendet kërkojnë që kjo e drejtë të bëhet më e lehtë për t’u ushtruar dhe zbatuar në praktikë. Komisioni Evropian pritet të paraqesë një paketë të re legjislative për transformimin digjital dhe mbrojtjen e të drejtës së autorit në tremujorin e dytë të vitit 2027./mxh
