Last Updated on 21/01/2026 by Monika
Ligjvënësit europianë kanë vendosur të ngrijnë marrëveshjen tregtare BE–SHBA të arritur verën e kaluar, duke shtuar tensionet në marrëdhëniet transatlantike. Burime për Euronews bëjnë me dije se vendimi u mor të mërkurën, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për tarifa të reja ndaj disa vendeve europiane, nëse ato nuk pranojnë kërkesën e tij që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Groenlandës.
Marrëveshja tregtare ishte arritur pas javësh tensionesh të shkaktuara nga politikat agresive tarifore të Trump pas rikthimit të tij në pushtet. Megjithëse u arrit një marrëveshje politike gjatë verës, ajo ende nuk ishte zbatuar zyrtarisht, pasi kërkonte miratimin përfundimtar nga Parlamenti Europian.
Deputetët kryesorë të Parlamentit Europian që merren me këtë dosje u takuan të mërkurën pasdite dhe vendosën të pezullojnë procesin, duke shtyrë zyrtarisht votimin që ishte planifikuar për javën e ardhshme në Komisionin për Tregtinë Ndërkombëtare.
Situata u përkeqësua pasi presidenti Trump deklaroi në rrjetet sociale se do të vendosë një tarifë 10% duke nisur nga shkurti ndaj Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë, Francës, Gjermanisë, Holandës, Finlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Sipas tij, tarifat do të mbeten në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje për “blerjen e plotë dhe totale të Groenlandës”, ndërsa paralajmëroi se ato mund të rriten në 25% deri në qershor, nëse nuk ka marrëveshje.
Vendimi i Parlamentit Europian shihet si një sinjal i fortë politik dhe një përshkallëzim i mëtejshëm i përplasjes tregtare mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara./mxh
