Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), me seli në Hagë, ka dhënë një vendim historik lidhur me krimet e kryera ndaj pakicës etnike Rohingya në Mianmar, duke konstatuar përgjegjësinë e shtetit për gjenocidin gjatë operacioneve ushtarake të viteve 2016–2017.
Në vendimin e saj, Gjykata konstatoi se Republika e Unionit të Mianmarit kreu gjenocid ndaj popullsisë Rohingya në pjesën veriore të shtetit Rakhine, në shkelje të detyrimeve të saj sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.
Sipas vendimit, Mianmari duhet të kompensojë komunitetin Rohingya dhe anëtarët e tij për dëmet e shkaktuara nga krimet e kryera ndaj tyre. Shuma konkrete e dëmshpërblimit dhe mënyra e pagesës do të përcaktohen në vijim të procedurave gjyqësore. Gjykata gjithashtu kërkoi që autoritetet e Mianmarit të kryejnë hetime ndaj personave të dyshuar për pjesëmarrje në gjenocid dhe të marrin masa për të garantuar që krime të tilla të mos përsëriten.
Operacionet ushtarake të viteve 2016–2017 shkaktuan një krizë të rëndë humanitare. Mijëra pjesëtarë të pakicës Rohingya u vranë, u raportuan përdhunime dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, ndërsa më shumë se 700 mijë persona u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre drejt Bangladeshit.
Çështja u iniciua nga Gambia në vitin 2019, e cila e paditi Mianmarin për shkelje të Konventës së Gjenocidit. Vendimi përbën një moment të rëndësishëm për drejtësinë ndërkombëtare, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përcakton përgjegjësinë ndërkombëtare të një shteti për kryerjen e gjenocidit.
Vendimi është detyrues për Mianmarin, ndërsa zbatimi i tij mbetet një sfidë për komunitetin ndërkombëtar dhe përpjekjet për të garantuar drejtësi për viktimat Rohingya./k.m
