Komisioni Evropian nuk sheh për momentin shenja për anulime masive të fluturimeve, pavarësisht shqetësimeve për një krizë të mundshme të karburantit ajror si pasojë e konfliktit me Iranin. Kështu deklaroi komisioneri për transportin Apostolos Tzitzikostas gjatë një konference për shtyp në Bruksel.
Sipas tij, deri tani nuk ka indikacione për ndërprerje të gjera në industrinë e aviacionit në javët apo muajt në vijim, ndërsa shtoi se aktualisht nuk ka nevojë për ndërhyrje në mënyrën se si qytetarët jetojnë, punojnë apo udhëtojnë.
Megjithatë, ai paralajmëroi se një bllokim i zgjatur i Ngushtica e Hormuzit do të kishte pasoja “katastrofike” për furnizimin global me karburant.
Komisioni Evropian pritet të japë udhëzime për menaxhimin e sloteve në aeroporte, të drejtat e pasagjerëve dhe detyrimet e shërbimeve publike në rast të mungesave të karburantit. Po ashtu, do të shqyrtohen masa për të shmangur praktika si “anti-tankering”.
Një tjetër fokus do të jetë rritja e shpejtë e prodhimit të karburanteve të qëndrueshme për aviacionin dhe atyre sintetike, me synimin për të ulur varësinë nga importet nga Lindja e Mesme.
Paralelisht, Komisioni po analizon mundësinë e importit të alternativave, përfshirë karburantin ajror të tipit Jet A nga Shtetet e Bashkuara. Një paketë më e gjerë masash në fushën e energjisë dhe transportit pritet të prezantohet më 22 prill./mxh
