Vendimi që pritet të merret për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mund të ketë ndikim përtej këtij rasti konkret dhe të krijojë një standard të ri për mënyrën se si do të trajtohen çështje të ngjashme nga gjykatat shqiptare. Kështu u shpreh ish-prokurori Eugen Beci, i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” nga Grida Duma.
Sipas Becit, vendimi që do të jepet për kryebashkiakun e Tiranës mund të krijojë një praktikë të re pune për gjykatat shqiptare dhe të shërbejë si standard për raste të ngjashme në të ardhmen.
Ish-prokurori u shpreh se një vendim i ri nga Gjykata Kushtetuese mund të sjellë edhe rishqyrtimin e çështjes së ish-presidentit Ilir Meta.
“Vendimi i nesërm krijon një praktikë, që duhet ta marrin parasysh të gjitha gjykatat në Shqipëri dhe nga i gjithë sistemi gjyqësor në vend. Dhe nëse Kushtetuesja vendos një standard të ri me vendimin që do të marrë për Veliajn, atëherë do rishqyrtohet edhe çështja e Metës dhe do jetë shembull për të gjitha gjykatat e tjera.
Në një ngërç të tillë ku një kryetar është në detyrë, duhet të kishte një ligj ku të thuhet nëse merresh i pandehur duhet të shkarkohesh, kaq”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci./a.d
