Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka paralajmëruar një fazë të re të veprimit politik të PDK-së, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve kushtetuese dhe bllokim të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Gjatë një deklarimi nga salla plenare e Kuvendit, Hamza tha se PDK-ja nuk do të mjaftohet më vetëm me kërkesat për respektimin e ligjshmërisë, por do të ndërmarrë hapa konkretë për rikthimin e saj.
“Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”, deklaroi Hamza.
Sipas tij, të gjitha afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit kanë kaluar, ndërsa ai akuzoi Qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti se sillet sikur situata institucionale në vend të jetë normale.
Hamza theksoi se PDK-ja nuk do të lejojë që, siç u shpreh, “shkelja e Kushtetutës të bëhet praktikë”, duke paralajmëruar përdorimin e të gjitha mjeteve demokratike dhe institucionale.
Një prej mundësive që PDK-ja po shqyrton është edhe adresimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se partia po shqyrton të gjitha veprimet që mund të jenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe modalitetet që do të ndjekë.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit zgjedhor. Seanca konstituive nisi më 6 gusht, ndërsa kryesuesi i saj, Avni Dehari, ka caktuar 9 shtatorin për vazhdimin e saj.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka argumentuar se afati 30-ditor duhet të llogaritet nga nisja e seancës konstituive.
Kriza institucionale lidhet edhe me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për kandidatin konsensual, Bekim Sejdiu, u vu në pikëpyetje pasi gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesin.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin e ri, Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje, duke u përballur me një tjetër krizë të rëndë institucionale./k.m
