Last Updated on 17/09/2026 by EL
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot përfaqësuesit gjermanë të Fondacionit Konrad Adenauer, Dieter Althaus, ish-kryeministër i Landit të Turingisë dhe anëtar i Bordit të Fondacionit Konrad Adenauer, si edhe drejtuesin e fondacionit në Shqipëri, Thomas Kunze.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe për rolin që Fondacioni Konrad Adenauer po luan në vendin tonë në mbështetje të reformave për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Begaj theksoi se Shqipëria po avancon në mënyrë të qëndrueshme në procesin e integrimit europian, me fokus te reformat, sundimi i ligjit dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë, ndërsa vijon harmonizimin me standardet dhe politikat e BE-së me synimin për të mbyllur kapitujt në fund të vitit të ardhshëm.
Në takim u nënvizua gjithashtu se marrëdhëniet shumë të mira politike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë duhet të shoqërohen edhe me forcimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe turistik./et
