Për vite me radhë, emrat e Tuba Büyüküstün dhe Beren Saat janë vendosur përballë njëra-tjetrës, duke krijuar idenë e një rivaliteti mes dy prej aktoreve më të njohura turke. Por duket se kjo histori ka ekzistuar vetëm në faqet e mediave.
Tuba Büyüküstün, aktorja që interpreton Meral në filmin më të ri “Sultana”, ka folur për herë të parë hapur për këtë temë, pasi së fundmi pëlqeu një postim të Beren Saat, ku aktorja dhe këngëtarja kishte publikuar një këngë të saj.
Gjesti i Tuba-s u vu re menjëherë nga fansat, të cilët e cilësuan si një veprim elegant dhe një shembull të mbështetjes mes grave. E pyetur për këtë, Büyüküstün sqaroi se mes saj dhe Beren Saat nuk ka pasur kurrë rivalitet.
“Po, e pëlqeva postimin. Gratë paraqiten si rivale me njëra-tjetrën, ne paraqitemi kështu. As Beren dhe as unë nuk kemi folur ndonjëherë për këtë. Sepse nuk ka ekzistuar kurrë diçka e tillë. Ishte thjesht një histori e krijuar për të tërhequr më shumë vëmendje, për t’u ndjekur dhe lexuar më shumë nga publiku. Kështu u paraqit. Por nuk ka asgjë të tillë”, u shpreh aktorja.
Deklarata e saj vjen në një moment kur “Sultana” sjell në qendër pikërisht solidaritetin mes grave. Büyüküstün foli edhe për mënyrën se si shoqëria ndikon te gratë që në moshë të vogël, duke bërë që ato të largohen gradualisht nga gëzimi dhe spontaniteti i tyre.
“Sapo lind si vajzë, ke një energji shumë të sinqertë, një dashuri për të kërcyer dhe një gëzim ndryshe. Por më pas fillojnë ‘duhet të sillesh kështu’, ‘duhet të ulesh kështu’, ‘nuk duhet të qeshësh kështu’ dhe ai gëzim i vajzërisë fillon të zbehet gradualisht. Zemra hesht dhe mendja merr kontrollin”, tha ajo.
Sipas aktores, pikërisht këtë ndryshim trajton edhe filmi “Sultana”, përmes historive të grave që përpiqen të rizbulojnë veten dhe të rikthehen te ajo që ndiejnë.
Büyüküstün foli gjithashtu për mbështetjen që i dha koleges së saj Esra Dermancıoğlu, e cila fitoi çmimin “Aktorja më e mirë” në Festivalin e Filmit të Stambollit. Për Tuba-n, suksesi i një gruaje tjetër nuk është arsye për konkurrencë, por për t’u gëzuar.
“Ne të gjithë jemi në rrugët tona. Këtu, kolegia ime ka marrë një çmim për diçka për të cilën ka menduar netë të tëra, ka punuar shumë dhe ka krijuar. Çfarë mund të jetë më mirë se kaq? Të gjithë jemi në të njëjtën varkë”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, aktorja nuk e fshehu zhgënjimin për një tjetër situatë që lidhej me “Sultana”. Një fotografi që u shpërnda në rrjetet sociale si pjesë e filmit shkaktoi reagime të shumta, ndërsa më vonë u sqarua se imazhi nuk ishte pjesë e trailerit dhe se flokët e saj ishin shtuar përmes Photoshop-it.
Büyüküstün tha se kjo situatë e kishte mërzitur, pasi sipas saj, një debat i tillë kishte lënë në hije gjithë punën e bërë për filmin.
“Është zhgënjyese të shohësh gjithë atë punë, gjithë vuajtjet e përjetuara nga kaq shumë njerëz pas dhe para kamerave, gjithë mendimin dhe përpjekjen e investuar, të fshihen dhe të reduktohen në diçka të tillë”, tha ajo./mxh
