Zayn Malik ka vendosur t’u përgjigjet kritikave për qëndrimin e tij ndaj Palestinës, por mënyra që zgjodhi ka rikthyer në vëmendje një deklaratë të tij që daton prej 12 vitesh.
Pas diskutimeve që nisën nga fjalët e tij gjatë koncertit në Santiago të Kilit, ish-ylli i One Direction publikoi në Instagram një screenshot të postimit që kishte bërë në vitin 2014, gjatë ofensivës në Gaza.
Në atë kohë, Zayn kishte shkruar vetëm dy fjalë: “Free Palestine”, një mesazh që u shpërnda rreth 220 mijë herë brenda pak ditësh dhe arriti te miliona ndjekësit e tij.
Tani, duke e rikthyer atë postim, këngëtari shkroi: “Ky është për të gjithë ata që janë të hutuar… shikoni datën.”

Reagimi vjen pasi Malik u kritikua për fjalët e thëna gjatë koncertit të 2 tetorit në Movistar Arena, pjesë e turneut të tij “Konnakol”. Gjatë performancës, ai foli për zhurmën politike në media dhe tha se nuk mendon se ndonjë jetë është e parëndësishme.
Disa persona i interpretuan këto komente si mungesë të një qëndrimi të qartë për Palestinën, duke e vendosur këngëtarin në qendër të një debati që është rikthyer fuqishëm edhe mes artistëve ndërkombëtarë.
Por Zayn nuk zgjodhi të japë një shpjegim të gjatë. Në vend të kësaj, ai u kthye 12 vite pas dhe u kujtoi ndjekësve qëndrimin e tij të atëhershëm.
Postimi i vitit 2014 kishte shkaktuar reagime të forta edhe në atë kohë. Disa fansa izraelitë e kritikuan ashpër, ndërsa këngëtari u përball edhe me kërcënime me vdekje. Megjithatë, ai nuk e fshiu kurrë mesazhin./mxh
