Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bëri akuza të forta në sallën e Kuvendit gjatë mocionit me debat për zgjedhjet e 11 majit. Ai ishte duke folur për akuzat ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, por vëmendjen ia tërhoqi reagimi i deputetit socialist Damian Gjiknuri.
“Damian, e ke vetë parasysh. Tani ti qesh se e sheh veten më pak mëkatar duke e krahasuar me lubistët. Jo, se lubist nuk ke qenë ti, të themi atë që është. U harrove, se kur i humbën mamasë 8 milionë euro, desh vrave veten ti. Mos hap ato kapituj se nuk kanë lidhje me zgjedhjet. Ekzakt kjo që them” – iu drejtua Berisha.
Berisha tha se tashmë është radha e opozitës e cila do të bëjë gjithçka për të rrëzuar socialistët nga pushteti.
“Tani do thoni ju, tani u them unë, është radha jonë. Dhe tani ta dini mirë që është radha jonë. Dhe në mënyrë absolute për ne ju nuk keni asnjë legjitimitet. Dhe kam bindjen më të madhe se PD dhe opozita shqiptare, do u rezervojë ju atë që u rezervohet narkoregjimeve dhe narkodiktaturave.
Sa më shpejt, është në ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar, e drejta e tyre për të përmbysur Edi Ramën, dhe jo nga Lubia, por nga opozita… Ti që shkove dëshmitar aty në debatin 7-orësh. A e di si i tha atij, më shih pak në sy Ulsi, i tha Lubia. Absolutisht po. Nga e mora vesh? Po muret kanë sy, kanë veshë, ruaju ti, kujdes… Kujdes se është vetëm fillimi i tregimeve të mia. U garantoj” – tha Berisha.
“Pra, si përfundim, u bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë çështjen e votës së tyre. U garantoj se do bëjmë gjithçka për të përmbysur këtë regjim dhe rikthyer votën e lirë shqiptarëve. Se ju kurrë nuk fitoni zgjedhjet në qoftë se nuk do organizonit 4533 aktivitete. Se ju kurrë nuk do fitoni zgjedhjet në qoftë se nuk do falnit 2 miliardë euro gjoba dhe kamata.
Se ju kurrë nuk do fitoni zgjedhjet në qoftë se nuk do u jepnit 760 mijë pensionistëve 100 euro. Se ju kurrë nuk do fitoni zgjedhjet në qoftë se nuk do angazhonit kartelet e drogës të Pojave dhe stërpojave. Se ju kurrë nuk do fitoni zgjedhjet, po fitorja do ishte e PD, në qoftë se nuk do e shndërronit administratën në falanga të krimit.
Në qoftë se nuk do shndërronit shtetin në shtet elektoral. Ju jeni të humburit e mëdhenj dhe ne do ju nxjerrim nga pushteti me çdo mënyrë. PD do rikthejë votën e lirë!” – tha Berisha. M.P.
