Last Updated on 21/07/2026 by Anisa
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas një deklarate të eurodeputetit çek Tomáš Zdechovský, të cilën ai e cilësoi si një akuzë të rëndë ndaj kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha pretendoi se eurodeputeti ka ngritur akuza për përdorim të familjarëve nga kryeministri për nxjerrjen e parave jashtë vendit. Sipas Berishës, Rama nuk ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve dhe ka tentuar të censurojë publikimin e lajmit.
“Deklarata e europarlamentarit është aktakuza më e rëndë që i bëhet personalisht Edi Ramës dhe familjarëve të tij nga një personalitet i BE-së”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së tha se kjo situatë përbën një rast të pazakontë dhe kritikoi heshtjen e kryeministrit, duke kërkuar reagim publik ndaj akuzave të ngritura.
Deri në këto momente, pretendimet e përmendura nga Berisha janë pjesë e debatit politik, ndërsa nuk ka një reagim të bërë publik nga kryeministri Edi Rama lidhur me deklaratat e cituara./ad
