NATO ka kapacitete ushtarake dukshëm më të mëdha se Rusia dhe do të kishte epërsi të qartë në rast të një konflikti të gjerë, deklaroi komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, në një intervistë për revistën gjermane “Der Spiegel”, të publikuar sot.
Sipas tij, kapacitetet ushtarake që aleanca do të vinte në dispozicion në një konflikt të madh “e tejkalojnë shumë fuqinë e Moskës”.
“Rusia nuk disponon avionë luftarakë modernë F-35 dhe as numrin e madh të destrojerëve dhe nëndetëseve moderne që zotëron NATO”, theksoi Grynkewich
Gjenerali amerikan u shpreh se nuk beson që Rusia do të ndërmarrë një sulm konvencional në shkallë të gjerë kundër Evropës.
Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin po përdor metoda të tjera, si sabotazhi, pasi nuk ka alternativa të tjera dhe nuk dëshiron një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me aleancën.
Grynkewich argumentoi se parandalimi ushtarak konvencional është një nga faktorët kryesorë që pengojnë një konflikt të tillë. Ai nënvizoi se NATO duhet ta ruajë këtë epërsi përmes modernizimit të forcave të armatosura, zhvillimit të stërvitjeve të gjera ushtarake dhe demonstrimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të saj.
I pyetur nëse veprimet ruse mund të përshkruhen si luftë në hije, komandanti i NATO-s tha se termi “sulme hibride” është tepër i përgjithshëm për të përshkruar veprime konkrete.
“Duhet t’i quajmë gjërat me emrin e tyre: sabotazh, zjarrvënie apo sulme terroriste janë terma të saktë, me përgjigje të qarta”, deklaroi ai.
Sa i përket mundësisë që Evropa të jetë tashmë në luftë me Rusinë, Grynkewich u shpreh se Putini po luan një lojë të rrezikshme. Sipas tij, presidenti rus synon të bindë qytetarët perëndimorë se mbështetja për Ukrainën është e rrezikshme dhe mund të çojë në një luftë me Rusinë. Megjithatë, ai vlerësoi se kjo strategji nuk ka funksionuar deri më tani. /Ad.Ab./ a.jor.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsi./mxh
