Last Updated on 16/10/2026 by EL
Një punonjës i Degës Doganore në Durrës është pezulluar nga puna teksa është kapur në veprime të kundraligjshme gjatë orarit të punës.
Lajmi është bërë me dije nga vetë administrata doganore që përmes një njoftimi në kanalin zyrtar tregon se shtetasi me inicialet K.D është vënë nën hetim dhe i është dorëzuar organeve kompetente për veprën penale të konsumuar.
Në fund, lajmërimi mbyllet duke theksuar se askush nuk do të tolerohet duke abuzuar me detyrën.
“Në vijim të angazhimit institucional për garantimin e integritetit profesional dhe luftën ndaj paligjshmërisë dhe korrupsionit, Administrata Doganore ka siguruar informacione përmes rrugëve operative, ku është konstatuar dhe vërtetuar një rast i përfshirjes së një punonjësi të Degës Doganore Durrës (me inicialet K.D.) në veprime të paligjshme korruptive.
Menjëherë pas verifikimit të këtyre të dhënave, është ngritur grupi hetimor për kryerjen e veprimeve të nevojshme.
Si masë e menjëhershme, punonjësi në fjalë është pezulluar nga detyra dhe materialet proceduriale janë referuar pranë organit kompetent për veprën penale.
Dogana Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e parimit të tolerancës zero ndaj çdo abuzimi me detyrën, duke ftuar qytetarët dhe strukturat e tjera të bashkëpunojnë për denoncimin e çdo shkeljeje ligjore”, shkruhet në njoftimin e Administratës Doganore, ku drejtor i përgjithshëm është Besmir Beja.
