Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka bërë thirrje për rritjen e presionit të Europës dhe NATO-s ndaj Rusisë, me qëllim përfundimin e luftës në Ukrainë dhe forcimin e mbështetjes për Kievin.
Wadephul theksoi se nevojitet një qasje e dyfishtë: nga njëra anë, rritja e presionit ndaj Moskës për t’i treguar se kostoja e vazhdimit të luftës po rritet, dhe nga ana tjetër, intensifikimi i mbështetjes politike, financiare dhe ushtarake për Ukrainën, për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, pa shpërblyer agresorin.
Ministri i Jashtëm gjerman akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për krijimin e një krize humanitare, duke sulmuar infrastrukturën energjetike civile të Ukrainës gjatë dimrit, me synimin për të thyer rezistencën e popullsisë.
Në deklaratat e tij, Wadephul komentoi edhe zhvillimet në lidhje me Arktikun, duke përshëndetur qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili është shprehur se nuk do të përdorë forcë ushtarake apo tarifa në lidhje me Groenlandën dhe se është i gatshëm të adresojë çështjet e sigurisë në Arktik brenda kornizës së NATO-s.
Gjermania, theksoi Wadephul, mbetet e angazhuar për një front të bashkuar euroatlantik përballë agresionit rus dhe për mbështetjen e Ukrainës deri në arritjen e paqes./mxh
