Rreth 200 kilometra rrugë në Shqipëri do të monitorohen nga sistemet e reja inteligjente. Policia e Shtetit ka nisur përgatitjen e efektivëve që do të punojnë në Qendrën e Monitorimit të Trafikut, ndërsa për këtë funksion të ri parashikohet edhe një rritje e pagave, të cilat mund të arrijnë deri në 1800 euro.
Nga 1 janari, kontrolli i qarkullimit rrugor në Shqipëri pritet të hyjë në një fazë të re. Radarët inteligjentë dhe pajisjet e avancuara të mbikëqyrjes do të aktivizohen në akset kryesore të vendit, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e shkeljeve nga drejtuesit e automjeteve.Pas instalimit të pajisjeve në disa prej rrugëve me fluksin më të lartë të qarkullimit, tashmë po punohet për përgatitjen e strukturave që do të mundësojnë funksionimin e sistemit. Burime bëjnë me dije se kanë nisur trajnimet për një grup punonjësish të Policisë së Shtetit, të cilët do të monitorojnë dhe analizojnë informacionin e përftuar nga radarët përmes Qendrës së Monitorimit të Trafikut.
Efektivët do të angazhohen në një model të ri pune, ku shkeljet rrugore do të evidentohen përmes teknologjisë, pa qenë e nevojshme që çdo kontroll të kryhet nga patrullat në terren. Nga ambientet e qendrës operative, ata do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale lëvizjen e automjeteve dhe të identifikojnë shkeljet e regjistruara nga sistemet inteligjente.
