Përgatiti: Leonard Veizi
Një letër prej pak rreshtash, e shkruar në Londër gjatë Luftës së Parë Botërore, do të merrte një rëndësi që do të kapërcente shumëfish përmasat e saj. Për herë të parë, një fuqi e madhe botërore shpallte zyrtarisht mbështetjen për krijimin në Palestinë të një shtëpie kombëtare për popullin hebre. Dokumenti u bë një pikë kthese për lëvizjen sioniste, por njëkohësisht hapi një çështje politike dhe territoriale që do të shoqëronte Lindjen e Mesme gjatë gjithë shekullit XX.
Më 2 nëntor 1917, sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Artur Xhejms Balfur (Arthur James Balfour), i dërgoi një letër Lajonel Uolter Rotshildit (Lionel Walter Rothschild), një prej figurave të njohura të bashkësisë hebraike britanike. Letra përmbante qëndrimin zyrtar të qeverisë britanike në mbështetje të krijimit në Palestinë të një «shtëpie kombëtare për popullin hebre». Dokumenti do të hynte në histori me emrin Deklarata Balfour.
Përpara se të bëhej një akt diplomatik, deklarata ishte rezultat i një procesi të gjatë negociatash ndërmjet përfaqësuesve të lëvizjes sioniste dhe qeverisë britanike. Në qendër të përpjekjeve ishin dy figura të rëndësishme të sionizmit: Haim Vajcman (Chaim Weizmann), kimist dhe udhëheqës politik, si dhe Nahum Sokolov, publicist e diplomat i lëvizjes sioniste.
Çfarë nënkuptonte Deklarata Balfour?
Teksti i deklaratës ishte i shkurtër, por përmbante një formulim me pasoja të mëdha politike:
«Qeveria e Madhërisë së Tij e sheh me favor vendosjen në Palestinë të një shtëpie kombëtare për popullin hebre dhe do të bëjë përpjekjet e saj më të mira për të lehtësuar arritjen e këtij objektivi, duke qenë e kuptuar qartë se nuk do të ndërmerret asgjë që mund të cenojë të drejtat civile dhe fetare të bashkësive ekzistuese johebraike në Palestinë, apo të drejtat dhe statusin politik që gëzojnë hebrenjtë në çdo vend tjetër të botës».
Një hollësi e rëndësishme ishte pikërisht përdorimi i shprehjes «shtëpi kombëtare» dhe jo «shtet hebre». Dokumenti nuk shpallte krijimin e menjëhershëm të një shteti dhe as përcaktonte kufijtë e tij. Ai shprehte mbështetjen britanike për një projekt kombëtar hebre në Palestinë, por linte të hapura shumë çështje që do të bëheshin objekt debatesh dhe përplasjesh në vitet e mëvonshme.
Palestina dhe premtimet kontradiktore të Britanisë
Për të kuptuar rëndësinë e deklaratës, duhet parë situata e Lindjes së Mesme gjatë Luftës së Parë Botërore.
Në atë kohë, Palestina ishte pjesë e Perandorisë Osmane, e cila kishte hyrë në luftë përkrah Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. Britania e Madhe, në përpjekje për të dobësuar sundimin osman, po kërkonte aleatë dhe mbështetje në rajon.
Por diplomacia britanike kishte hapur disa fronte njëkohësisht.
Gjatë viteve 1915–1916, nëpërmjet korrespondencës ndërmjet komisarit të lartë britanik në Egjipt, Henri Mekmahon (Henry McMahon), dhe sherifit të Mekës, Husein bin Ali, Londra kishte diskutuar mbështetjen për pavarësinë arabe pas përfundimit të luftës. Çështja e përfshirjes ose jo të Palestinës në këto premtime mbeti e diskutueshme.
Ndërkohë, në maj 1916, Britania dhe Franca kishin nënshkruar marrëveshjen e fshehtë Sykes-Picot, me të cilën parashikonin ndarjen e zonave të ndikimit në territoret arabe të Perandorisë Osmane pas fitores së luftës. Në këtë kontekst, Deklarata Balfour shtoi një tjetër angazhim britanik: mbështetjen për krijimin e një shtëpie kombëtare hebreje në Palestinë.
Kështu, për të ardhmen e së njëjtës hapësirë gjeografike ekzistonin premtime dhe projekte të ndryshme politike, jo gjithmonë të pajtueshme me njëri-tjetrin.
Nga deklarata te Mandati Britanik
Deklarata Balfour nuk mbeti vetëm një letër diplomatike. Rëndësia e saj u rrit ndjeshëm pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjes së Perandorisë Osmane.
Në prill 1920, në Konferencën e San Remos, fuqitë aleate miratuan parimin e vendosjes së Palestinës nën mandatin britanik, duke përfshirë edhe angazhimin e Deklaratës Balfour.
Në vitin 1922, Lidhja e Kombeve miratoi zyrtarisht Mandatin Britanik për Palestinën. Në dokument u përfshi detyrimi i administratës britanike për të krijuar kushtet politike dhe administrative që do të lehtësonin realizimin e shtëpisë kombëtare hebreje.
Kjo periudhë solli një rritje të emigracionit hebre drejt Palestinës, zhvillimin e institucioneve të lëvizjes sioniste dhe zgjerimin e vendbanimeve hebreje. Por njëkohësisht shtoi shqetësimin dhe kundërshtimin e popullsisë arabe palestineze, e cila përbënte shumicën e banorëve të territorit.
Përplasjet ndërmjet dy lëvizjeve kombëtare u bënë gjithnjë e më të forta, ndërsa administrata britanike u përball me vështirësinë për të zbatuar angazhimet e saj dhe për të administruar konfliktin që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Trashëgimia e një letre
Deklarata Balfour mbetet një prej dokumenteve më të rëndësishme diplomatike të shekullit XX. Për lëvizjen sioniste, ajo përfaqësonte një njohje ndërkombëtare të aspiratës për një atdhe kombëtar hebre. Për arabët palestinezë, ajo u bë simbol i një vendimmarrjeje ndërkombëtare për të ardhmen e vendit të tyre, në të cilën ata nuk ishin përfaqësuar si popull me të drejta të barabarta politike.
Më 14 maj 1948, pas përfundimit të Mandatit Britanik dhe në kushtet e konfliktit të armatosur, u shpall shteti i Izraelit. Deklarata e vitit 1917 nuk ishte akti juridik që krijoi drejtpërdrejt këtë shtet, por kishte luajtur një rol të rëndësishëm në procesin diplomatik dhe ndërkombëtar që i parapriu krijimit të tij.
Letra origjinale e Arthur James Balfour, e datës 2 nëntor 1917, ruhet sot në arkivat e Bibliotekës Britanike. Një dokument me pak rreshta, i shkruar në Londër në kohën kur Lufta e Parë Botërore ende nuk kishte përfunduar, u bë pjesë e historisë së një rajoni që do të vazhdonte të përjetonte luftëra, zhvendosje popullsie dhe konflikte për territorin e sovranitetin edhe për shumë dekada më pas.
